AktualitetKosovaTë fundit

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe reagojnë ndaj situatës në Agjencinë e Akreditimit

Ambasadat e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, kanë reaguar ndaj, siç kanë thënë, bllokadës në të cilën është Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e konsiderojnë arsimin cilësor si përparësi për të ardhmen e Kosovës. Për këtë arsye, ato janë shumë të brengosura për qorrsokakun aktual brenda Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, i cili po vë në rrezik serioz akreditimin e programeve të studimit për vitin e ardhshëm akademik”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre ambasadave.

Më tutje në këtë deklaratë, thuhet se të trija këto ambasada janë shumë të shqetësuara për mosveprimin aktual të Komisionit të Ankesave të Agjencisë.

“Franca, Gjermania dhe Britanisë së Madhe kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në sektorët e sundimit të ligjit dhe arsimit. Në këtë drejtim, të tre Ambasadat bashkërisht u bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që të kryejnë funksionet e tyre përkatëse dhe të kryejnë detyrat e tyre siç është paraparë me ligjin e Kosovës”, thuhet më tutje në deklaratën e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Ndryshe, në periudhën e fundit ka pasur përplasje ndërmjet Komisioni për Ankesa dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kryesisht për çështje të kompetencave të komisionit.

Profesori, Visar Morina, që ka qenë pjesë e këtij institucioni, tha për Radion Evropa e Lirë se ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga ky komision.

Arsyeja e dorëheqjes, por edhe e mosfunksionimit të duhur të këtij komisionit, sipas tij, është mungesa e një baze të duhur ligjore, që do të mundësonte marrjen e vendimeve krahas përgjegjësive të komisionit.

“Në mungesë të një bazë të mirëfilltë juridike, nuk jemi në pozicion për të ushtruar formalisht funksionin”, ka thënë ai.

 

Fraksion.com