AktualitetOp-EdTë fundit

Vjosa Osmani mund ta sfidojë 6 tetorin e Thaçi-Vuçiç-it dhe ta ndryshojë Kosovën!

Nga: Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

 

Me 6 tetor do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Në fakt datën 6 tetor e paralajmëroi para disa ditësh nga Beogradi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Dhe zoti Thaçi nuk deshi së paku formalisht t’i japë atij mesazhin se nuk është presidenti i Serbisë që cakton datën e zgjedhjeve në Kosovën e pavarur. E respektoi pikë për pikë këshillën e mikut të tij.

Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës shpalli kandidaturën e Vjosa Osmanit për postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, çka e ka çuar këtë parti shumë më afër pushtetit. Vjosa Osmani është politikania më e votuar në Lidhjen Demokratike dhe në Kosovë, edhe pse jo lidere e LDK-së dhe madje me përkrahje të pakët në partinë e saj. Kandidimi i saj për kryeministre të vendit bën që Lidhja Demokratike t’i afrohet pushtetit. Kosova e lodhur me komandantët e rrethit të Hashim Thaçit, e lodhur edhe nga klanet politike të burrave, ka shumë mundësi që të votojë LDK-në thjesht se beson më shumë te një grua. Aq më tepër te një grua që ka provuar se mban qëndrime dhe ka vizione më të qarta se sa të gjithë burrat e korruptuar të qeverive të mëparshme, të marrë së bashku. Vjosa Osmani ka një përgatitje të shkëlqyer, është e aftë të kryesojë bisedimet me Serbinë, është e guximshme për të përdor argumentet me qëllim që të ulë në gjunjë çdo bashkëbisedues serb apo ndërkombëtar në lidhje me të drejtën e Kosovës. Ajo e njeh shumë mirë të drejtën ndërkombëtare dhe mesa kam vënë re edhe historinë e saj. Prandaj unë besoj se do të ketë sukses të padiskutueshëm në dialogun me Beogradin. Vjosa Osmani ka karizëm, çliron energji pozitive, i bën njerëzit që të besojnë te fjala dhe puna e saj. Si askush tjetër në Lidhjen Demokratike e më tej ajo shihet si një figurë që bashkon e nuk i ndan politikanët dhe qytetarët e Kosovës. Ka krijuar një rreth të caktuar njerëzish me energji të mire për mbështetje dhe për pasojë mbështetet fuqishëm nga qytetarët e Kosovës.

Megjithatë e kandiduara për kryeministre e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet t’i kapërcejë disa sfida:

Së pari, ndoshta me shpejtësi, ndoshta gradualisht, por me pjekuri dhe maturi, duhet të shkëputet nga trashëgimia e keqe në Lidhjen Demokratike. Duhet të distancohet nga elementët që më shumë shohin interesin e tyre, sesa të Kosovës në këtë parti. Duhet ta izolojë dhe luftojë ndikimin e SHIK-ut, si një e keqe e rrezikshme për partinë e Ibrahim Rugovës. Për t’i realizuar këto i duhet nuhatja dhe intuita politike si dhe vendosmëria e Rugovës. Do të duhet të zgjedhë më së pari bashkëpunëtorët e saj të ngushtë, nga ata që i flasin hapur dhe jo që e mbështesin në të keqen. Do të duhet që të unifikojë mendimin politik në parti, duke eliminuar mundësinë që për çështje fondamentale, si territori i Kosovës, të tolerojë ide dhe koncepte të kundërta me partinë. Së paku kjo kategori politikanësh në LDK do të duhej të izolohej. Ndryshe LDK do të humbasë besim e vota. Vjosa e ka këtë fuqi, e ka karizmin dhe duhet ta ketë dhe vendosmërinë për këtë. Së dyti, zonja Osmani do t’i fitojë qytetarët e Kosovës nëse ajo që sot bën deklaratën publike dhe i bind ata se me marrjen e mandatit për krijimin e qeverisë do të bëjë koalicion vetëm me partitë politike, të cilat janë të vendosura për ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Vija e demarkacionit në këto zgjedhje do të jetë qëndrimi ndaj territorit të vendit, duke iu kundërvu idesë së dështuar deri më sot të presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Kjo do të thotë se ajo duhet të distancohet qartë dhe prerë nga ideja Vuçiç – Thaçi – Rama – Soros për zgjidhjen e konfliktit midis Prishtinës e Beogradit përmes ndryshimit, korrigjimit ose demarkimit të kufijve.

Të shpallë koalicion me partitë politike që distancohen nga politika e ulët e presidentit Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe me ato forca politike që janë të gatshme të fillojnë një proces për shkarkimin e presidentit për shkelje të kushtetutës së vendit dhe madje tradhti ndaj atdheut!

Programi politik i saj duhet të jetë program i përfundimit të shtetësisë së Kosovës, program i ndërtimit të institucioneve demokratike, dhe shpresë për të ndërtuar një Kosovë tjetër, demokratike, me shtet të së drejtës, një qeverisje që i jep fund epokës që qeverisjes së korruptuar, klanore e nepotike të Hashim Thaçit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit si kusht i domosdoshëm për integrimet euro-atlantike të Kosovës do të duhet të jenë shqetësimi dhe pjesa më e dukshme e programit politik të Vjosa Osmanit. Duke e mbyllur këtë koment, mund të them se Vjosa Osmanit i duhet besuar, pavarësisht një fotoje të saj me Aleks Sorosin, për çka ajo do të duhet të gjejë mënyrën dhe kohën e duhur të distancohet!

 

Fraksion.com