AktualitetBota+Të fundit

Bolton në Kiev: Ukraina të mos nxitojë në veprimet me rusët

Këshilltari amerikan i sigurimit kombëtar John Bolton thotë se nuk ka nevojë që Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy të “nxitojë” për të ndërmarrë veprime sa i përket përfshirjes së Rusisë me forcat separatiste në lindje të Ukrainës.

“Unë mendoj se, nga këndvështrimi i një qeverie të re në Ukrainë, Presidenti Zelenskiy do të ishte më mirë të studiojë se si të shpalosë me shumë kujdes një strategji për marrëdhëniet me rusët,” i tha zoti Bolton radios RFE / RL gjatë një interviste të zgjeruar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev më 27 gusht.

“Nuk mendoj se ka ndonjë arsye që ajo të nxitojë në një kurs veprimi ose në një tjetër …. Mendoj se për qeverinë e re në Ukrainë ka më shumë kuptim që ajo të punojë për zgjidhjen e çështjes përgjatë një periudhe kohe”.

“Nuk mendoj se evropianët do të kenë një zgjidhje, e cila të jetë mjaft e qartë,” shtoi ai duke iu referuar të ashtuquajturit format i Normandisë për negociatat që synojnë t’i japin fund konfliktit në Ukrainë.

Më shumë se 13 mijë njerëz janë vrarë në Ukrainën lindore që nga prilli 2014, kur separatistët e mbështetur nga Rusia morën armët kundër forcave qeveritare në rajonin Donetsk dhe Luhansk.

Pasi zgjedhjes në prill të këtij viti, Presidenti Zelenskiy bëri thirrje për një takim katër-palësh me pjesëmarrësit e tjerë të formatit Normandi, Rusia, Gjermania dhe Franca për të ringjallur bisedimet e paqes me kreun e Kremlin Vladimir Putin.

Moska ka thënë se është e interesuar për të ripërtëritur diskutimet për paqen, por nuk ka specifikuar një kornizë kohore.

Më 26 gusht, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se udhëheqësit e formatit Normandi do të mbajnë një samit muajin e ardhshëm.

“Ne mendojmë se ekzistojnë kushtet për një samit të dobishëm,” tha zoti Macron në fund të takimit të G-7s në vendpushimin bregdetar francez Biarritz.

I pyetur nëse Uashingtoni do të dëshironte t’u bashkohej bisedimeve të formatit Normandi, zoti Bolton nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha se ekziston “një interes i rëndësishëm amerikan” për çështjet ekzistuese midis Kievit dhe Moskës.

“Unë mendoj se kjo është arsyeja pse ne duhet ta marrim në shqyrtim, nëse Presidenti Zelenskiy dëshiron që ne të përfshihemi [në bisedime me Rusinë], nëse duhet ta bëjmë këtë ose jo.”

Rusia grumbullon forca në Detin e Zi

Zoti Bolton shprehu gjithashtu shqetësimin e SHBA për dislokimet e reja ushtarake të Rusisë në Detin e Zi, përfshirë edhe në Krime, e cila është aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska.

“Deti i Zi ka një numër aleatësh të NATO-s që gjithashtu janë pjesë e tij,” tha zoti Bolton, duke shtuar: “Ne presim të shohim që të gjitha vendet e Detit të Zi të vazhdojnë të kenë qasje në të; po ashtu edhe tregtarët e tjerë që përdorin Detin e Zi”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë aktivitetet ruse edhe në pjesë të tjera të botës.

“E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Balltikun; po ashtu edhe në Arktik. Dhe këto janë çështje për të cilat kemi pasur disa diskutime të vështira me rusët, si në shumë fusha të tjera ku ata po përpiqen të ndërhyjnë përtej caqeve ku kanë interes legjitim.”

Vizita e zotit Bolton është e para në Ukrainë nga një zyrtar i lartë amerikan që nga zgjedhja e zotit Zelenskiy në prill. Ai pritet të takohet me udhëheqësin ukrainas më 28 gusht, sipas mediave vendëse.

Pas mbërritjes në Ukrainë, zoti Bolton u tha gazetarëve se “për mua, kjo është një mundësi të flas për disa përparësi që ne kemi dhe në fakt duke qenë se këtu ka një administratë të re, për të dëgjuar edhe përparësitë e tyre”.

Zoti Bolton shtoi se një takim midis Presidentit Donald Trump dhe Zelenskiy mund të realizohet kur udhëheqësi amerikan të shkojë në Poloni në fillim të muajit të ardhshëm.

Vizita në Minsk

Ndërkohë, administrata presidenciale në Bjellorusinë fqinje tha më 27 gusht se zoti Bolton do të shkojë në Minsk për bisedime me Presidentin Alyaksandr Lukashenka më vonë gjatë javës, pa dhënë një datë të saktë.

Qeveria e një tjetër republike ish-sovjetike, Moldavia, tha më herët se zoti Bolton do të vizitojë Kishinevin në 29 gusht.

Turneu i zotit Bolton në Evropën Lindore ka shumë të ngjarë të irritojë Moskën, e cila vitet e fundit është përpjekur të rivendosë ndikimin e saj në ish republikat Sovjetike./VOA

 

Fraksion.com