AktualitetBota+Të fundit

BE i refuzon “planet e kursimit” të Johnsonit

Në Bruksel, kryeministri britanik Boris Johnson ndesh në refuzim masiv për idenë e tij për të mos ia paguar një pjesë të madhe të borxheve miliardëshe BE-së, po të shkëputet pa marrëveshje nga BE.

Bashkimi Evropian këmbëngul për pagimin e plotë të faturës përfundimtare për detyrimet financiare të Britanisë së Madhe ndaj BE, edhe po të largohet Mbretëria e Bashkuar pa marrëveshje nga BE. Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Komisionit, Mina Andreeva në Bruksel. Britanikët i kanë borxh para BE, për vendime të përbashkëta financiare, për buxhetin e BE-së, për fondet e përbashkëta dhe për barrën e pensioneve.

“Të gjitha detyrimet e ndërmarra nga 28 shtetet anëtare duhet të përmbushen.” Kjo vlen “edhe dhe mbi të gjitha për skenarin e ndarjes pa marrëveshje”. Zëdhënësja i paralajmëroi britanikët për pasoja në bisedimet mbi marrëdhëniet e ardhshme me BE, po të refuzojnë të paguajnë. Zyrtarisht, megjithatë, qeveria britanike ende nuk e ka ngritur këtë çështje me BE.

Pa paguar plotësisht faturën jo marrëveshje tregtie

Koordinatori i Parlamentit Evropian për Brexit-in, Guy Verhofstadt, u shpreh edhe më qartë në Twitter: “Po të mos e paguajë Britania e Madhe atë që ka borxh, BE nuk do të negociojë një marrëveshje tregtie. Pas një ndarje pa marrëveshje, ky do të jetë kushti i parë i çdo negociimi”.

Sqarimi i BE-së u bë para përsëritjes nga kryeministri Boris Johnson në fundjavë se nuk do të paguante tërësisht faturën e daljes, në rast të një Brexiti pa marrëveshje me BE.

Në kuadër të samitit të G7-ës në Biarritz, Johnson tha në një intervistë televizive se në rast të një Brexiti të parregullt, vendi i tij nuk ishte më i detyruar me ligj ndaj premtimit të bërë nga paraardhësja e tij Theresa May , për ta paguar faturën përfundimtare të vlerësuar me 39 miliardë paund (rreth 43 miliardë euro). Në këtë mënyrë, qeveria e tij do të kishte në dispozicion”shuma të konsiderueshme” për projekte të tjera./DW

 

Fraksion.com