AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Zgjidhja e krizës me qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme

Pas takimit të zhvilluar në selinë blu me Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar CDU/CSU për Europën, Lulzim Basha i qëndroi sërish kushtit të opozitës për zgjidhjen e krizës, duke kërkuar largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Sipas Bashës, zgjidhja e krizës arrihet me qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, çka do të thotë një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale”, tha kryeopozitari.

I pyetur nëse Gjermania do të marrë rolin e negociatorit për zgjidhjen e krizës, Basha nuk dha një përgjigje konkrete, por theksoi se PD është në koordinim dhe komunikim të përditshëm me faktorët ndërkombëtarë.

“PD dhe opozita është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar, pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i sotëm me Katja Leikert. Komunikim i cili vazhdon intensivisht pothuajse në mënyrë të përditshme dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, tha ai.

Sa i përket aksionit opozitar, Basha tha se paralelisht me protestat, opozita do të fokusohet edhe në propozimet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët.

 

Fraksion.com