AktualitetPolitikëTë fundit

“Basha ik” Kulluri: Demokratë, shpëtoni partinë nga “Zhuljeta” e 17 Majit

Edvin Kulluri, ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, një nga zërat më kritikë dhe më të ashpër ndaj Lulzim Bashës, nuk i ndal sulmet ndaj tij. Kulluri kërkon largimin e Bashës si mënyrën e vetme për të shpëtuar Partinë Demokratike nga rrënimi, duke konfirmuar edhe një herë se do të jetë pjesë e lëvizjes “Basha Ik”, lindur si një reagim i fortë brenda të djathtëve të pakënaqur me vendimet e kryedemokratit.

Kulluri u ka bërë thirrje demokratëve të largojnë “Zhuljetën “ e 17 majit, duke iu referuar kështu Bashës për të shpëtuar partinë nga vetëasgjësimi. Termi “Zhulietë” në fakt është përdorur nga kryeministri Edi Rama për Lulzim Bashën gjatë gjithë fushatës elektorale të 30 qershorit, ndërsa veten e konsideronte shpesh si “Romeo” për marrëveshjen e arritur mes të dyve më 17 maj 2017.

Këtë ironi të thellë të kryeministrit e ka përdorur edhe Kulluri, i cili shkruan se akuzat e “Zhuljetës” se zërat kritik ndaj tij janë paguar nga Rama për të përçarë opozitën, janë thjeshtë konfirmim i mendimit se që të shpëtohet PD, Basha duhet të ik.

‘Kur të akuzon se “Rama paguan për të përçarë opozitën” Zhuljeta e 17 majit, e kupton që ke të drejtë plotësisht për të shkulur nga rrënjët servilizmin, konformizmin dhe imoralitetin nga politika! Demokratë, shpëtoni partinë tuaj, shpëtoni Shqipërinë!”- shkruan Kulluri në facebook.

Realstory tha më herët se në shtator do të nis lëvizja “Basha ik” nga të pakënaqurit demokratë, që pas 30 qershorit mbetën pa asnjë lloj pushteti. Kulluri, pjesë e kësaj lëvizje, duket se nuk ka pritur shtatorin për të kërkuar largimin e tij. Gjatë gjithë muajit gusht, ai është treguar mjaft aktiv duke argumentuar se pse Basha nuk mund të jetë më në krye të PD-së.

 

Fraksion.com