Agim Kajmaku; Prokuroria e përgjithshme shkresë PD: Kërkon të gjithë materialet
Prokuroria e Përgjithshme, pas dërgimit të letërporosisë në Greqi për Agim Kajmakun dhe marrjen e shenjave të gishtave të tij, ka kërkuar të martën nga Partia Demokratike të gjitha materialet që ajo disponon për kryebashkiakun e sapozgjedhur të Vorës. Prokuroria ka kërkuar që PD t’i vërë në dispozicion të gjitha materialet mbi të cilat ajo ngrenë akuzat për Agim Kajmakun.
PD publikoi të hënën dosjen greke në të cilën akuzoi Agim Kajmakun se përmes identitetit të rremë Jorgo Toto është arrestuar në 2003-shin nga autoritetet greke për falsifikim parash dhe i është shmangur drejtësisë në gjithë këto vite duke ndryshuar emrin. Sipas PD, dosja greke përmban të gjitha provrat që prokuroia shqiptare të nis hetimet ndaj tij.
“Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”. Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi.” deklaroi PD, akuza që i shoqëroi me dosjen greke të Janinës.
Vetë Kajmaku i ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk është ai Jorgo Toto për të cilën flet PD dhe se u qëndron pikë për pikë atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit. Agim Kajmaku nuk ka shkruar në formularin e vetëdeklarimit që të ketë qenë ndonjëherë i hetuar, gjykuar, apo arrestuar. Nëse kjo del të jetë gënjeshtër, Kajmaku rrezikon të preket edhe nga ligji i dekriminalizimit.
Fraksion.com