Zjarret në Amazonë, udhëheqësit botërorë bëjnë thirrje për veprim
Pyjet e Amazonës në Brazil vazhdojnë të shkatërrohen nga vatrat e zjarrit. Disa organizata mjedisore dhe hulumtues të ndryshëm thonë se fajin e kanë interesat e biznesit të inkurajuara nga presidenti i ri i vendit. Siç na njeh raporti i gazetarit të Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, qeveria e Brazilit ka angazhuar ushtrinë për shuarjen e zjarreve.
Ushtria e Brazilit po lufton për të ardhmen e pyjeve të Amazonës që po shkrumbohen. Aeroplanët hodhën ujë mbi një rajon ku gjashtë shtete po kërkojnë ndihmën e ushtrisë.
Zjarret po djegin zona të mëdha me një ritëm rekord. Flakët po përpijnë bimësinë, kafshët dhe po shkatërrojnë ajrin mbi Amerikën e Jugut, siç tregojnë edhe pamjet nga satelitët e NASA-s. Francisco Barroso është fermer.
“Këto gjëra ndodhin çdo vit. Por nuk jemi në gjendje të themi se kush është përgjegjës. E njëjta gjë çdo vit edhe askush nuk ndëshkohet.”
Grupet për mjedisin dhe hulumtuesit thonë se druvarët dhe fermerët mund të kenë ndezur zjarret për të pastruar tokat për biznese.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka teorinë e tij se kush e mban fajin.
“Me sa di unë, egziston një dyshim i fortë se mund të jenë organizatat joqeveritare sepse humbën fondet nga qeveria federale.”
Pavarësisht se ka dislokuar ushtrinë, zoti Bolsonaro këmbëngul se zjarret nuk janë më keq se vitet e tjera. Por agjencia braziliane e hapësirës thotë ndryshe, me rreth 73 mijë zjarre gjatë vitit 2019, do thotë 80 përqind më shumë se sa një vit më parë. Më shumë se gjysma e zjarreve janë në rajonin e Amazonës.
Disa udhëheqës botërorë ndanë shqetësimet e tyre në Twitter. Presidenti Macron, i cili po merr pjesë në takimin e G-7, premtoi mbështetjen e vendit të tij për shuarjen e zjarreve.
“Amazona është e mira jonë e përbashkët. Fillimisht, duhet të ndihmojmë Brazilin që të shuajë këto zjarre, dhe pastaj të investojmë në ripyllëzim dhe të lejojmë banorët lokalë dhe organizatat joqeveritare të hartojnë plane për ruajtjen Amazonës, për të cilën kemi nevojë të gjithë. Sepse është një thesar i biodiversitetit dhe klimës tonë.”
Pyjet e Amazonës ofrojnë 20 përqind të oksigjenit në botë ndërsa konsumojnë pjesën më të madhe të dioksidit të karbonit. Akademikë dhe grupe të mjedisit paralajmërojnë se humbja e pyllit mund të nënkuptojë humbjen e betejës kundër ndryshimeve klimatike.
Fraksion.com