Policia kontrolle në rrugët e Lezhës, procedohen 12 shoferë
Policia Rrugore e Lezhës vijon kontrollet përgjatë akseve kryesore, ku fluksi i lëvizjeve të mjeteve është shumë i lartë, kjo për shkak edhe të sezonit turistik.
Përgjatë një jave janë proceduar 12 shtetas për shkelje të rregullave në qarkullim dhe për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Por plani i masave nuk ka përfunduar me kaq. Policia ka pezulluar edhe 47 leje drejtimi, ndërsa janë vendosur edhe 818 masa të tjera administrative ndaj shkelësve të “Kodit Rrugor”.
Njoftimi i policisë:
Vijon zbatimi i planit të masave nga Policia Rrugore për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore si dhe menaxhimin e fluksit të mjeteve deri në orët e vona për sezonin turistik në plazhet e Shëngjinit dhe Tales, kryesisht në fundjavë.
Arrestohen dhe proçedohen penalisht 12 shtetas për ” Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ” Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt ( pa leje drejtimi dhe gjendje të dehur ) duke u bërë edhe burim aksidenti. Gjithashtu, janë konstatuar dhe ndëshkuar edhe 8 drejtues duke drejtuar mjetin nën ndikimin e alkoolit.
Janë pezulluar 47 leje drejtimi.
Janë vendosur 818 masa administrative, nga këto:
- 226 masa për shpejtësi tej normave të lejuara,
- 96 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit,
- 224 masa për parakalim të gabuar,
- 102 masa për ndalim qëndrimi,
Ndërsa pjesa tjetër e masave administrative, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Lezhës, do vijojë kontrollet e pandërprera, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore, ku apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të bashkëpunojnë duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Mos shpejto të arrish aksidentin!
Fraksion.com