Për pushime në Siri – Debat për refugjatët sirianë?
A kanë refugjatët ende nevojë për mbrojtje, nëse mund të shkojnë për një kohë të shkurtër në vendlindje, prej së cilës kanë marrë arratinë? Debati ka përfshirë Gjermaninë.
Nuk vonuan kritikat nga opozitat dhe organizatat sociale. „Deklarata e ministrit Seehofer të le të kuptosh, sikur refugjatët sirianë shkojnë për të pushuar apo për kohë të lirë në vendin ku zhvillohet luftë civile”, tha presidenti i Caritas-it, Peter Neher për Deutsche Wellen. „Por nga puna jonë në Caritas, e dimë, se refugjatët sirianë për një kohë të shkurtër shkojnë në vendin e tyre, për shembull për të mbështetur familjare të sëmurë në gjendje të rëndë, apo familjarë minorenë. Edhe nëse familjarët janë në shtratin e vdekjes, udhëtojnë refugjatët sirianë në vendlindje.” Pasaporta blu që u jepet personave që kanë statusin e refugjatit të mundëson udhëtime në vende të tjera, por jo në vendlindje.
Anvar Abdulkadel, që punon si ndërmjetësues kulture apo gjuhe në Köln e konfirmon: „Në rrjetet sociale flitet shumë për këtë temë.” Refugjatët përpiqen përmes ndihmës edhe të kontrabandistëve të kalojnë vende si Turqia, Iraku apo Libani për të hyrë në Siri, nëse një njeri nga familja ka probleme serioze apo është i sëmurë.”
Nuk ka shifra për udhëtimet në vendin origjinë
A janë udhëtimet në vendlindje vërtet një problem i madh? Megjithëse debati për këtë temë kthehet sidomos në verë, ende nuk ka „as shifra dhe as llogaritje”, se sa azilantë me status të njohur azili udhëtojnë në Siri, pse e bëjnë këtë dhe se në sa raste këto udhëtime duhet të çojnë në heqjen e statusit të azilantit, bën të ditur BAMF.” Rreth 780.000 sirianë erdhën në vitet e fundit në Gjermani.
„Ka herë pas here raportime”, thotë një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme për Deutsche Wellen. Shumicën e njoftimeve për udhëtime të tilla në vendin origjinë, BAMF e merr nga policia, për të cilën përgjegjës është ministri i Brendshëm, por edhe këtu nuk ka shifra. Politikanja Ulla Jelpke kritikon deklaratat e Seehoferit, si tentativë për të fituar zgjedhës në kuadër të zgjedhjeve në tre lande gjermane në shtator, pra ta bëjë CDU e CSU atraktive për zgjedhësit e AfD-së. Edhe nëse ata udhëtojnë në vendlindje, ky udhëtim nuk është pushim, sipas saj. „Kjo është pasojë e një politike familjare shumë restriktive.”
Refugjati sirian: “Kjo dëmton imazhin tonë”
Rami A. (emri i ndryshuar) jeton në Brandenburg, ku së shpejti votohet për parlamentin e landit. Debati aktual forcon AfD dhe hedh hije mbi sirianët. „Kjo dëmton imazhin tonë”, thotë ai. Shumë vetë kërkojnë kthimin e refugjatëve sirianë, por Rami A. i trembet përndjekjes nga regjimi i Asadit nëse kthehet. Ai thotë, se nuk duhen bërë përgjithësime. Edhe Rami A. njeh raste të udhëtimit në Siri. Një refugjat njoftoi për këtë edhe zyrën e të huajve, thotë ai. „Ai donte të shihte patjetër edhe njëherë nënën e tij para varrimit.”
Sipas BAMF, „një udhëtim i shkurtër për plotësimin e një detyrimi zakonor, si pjesëmarrja në një varrim, vizita e një të sëmuri rëndë, nuk është arsye për heqjen e stautist”, por nuk mund të bëhen vlerësime të përgjithshme, sepse çdo rast duhet vlerësuar më vete, nëse duhet hequr statusi i marrjes në mbrojtje apo jo.”
Udhëtimet në vendlindje të personave me status të njohur të azilit janë diskutuar gjithmonë fort, sidomos nga partia populiste, AfD, e cila me deklarata si „pushime në shtëpi” apo „keqpërdorim i statusit të azilit” ka krijuar përshtypjen, sikur refugjatët nga Siria e mbajnë pa të drejtë statusin e të mbrojturit. Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer ka bërë të ditur, se „ po e vëzhgojmë me shumë vëmendje gjendjen në Siri, nëse situata e mundëson, ne do të organizojmë kthimet.” Por përkohësisht askush, edhe pas heqjes së statusit të azilit, nuk do të dëbohej nga Gjermania. Deri në fund të dhjetorit dëbimet janë ndaluar./DW
Fraksion.com