AktualitetBota+Të fundit

Johnson: Parlamenti britanik duhet ta kryejë Brexit-in

“Është punë e secilit në Parlament” që të realizojë Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, tha kryeministri britanik, Boris Johnson, në fund të samitit të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që u mbajt në Francë.

Komentet e Johnsonit vijnë në kohën kur disa deputetë të Parlamentit britanik pritet të takohen për të diskutuar mënyrat për të shmangur Brexit-in pa marrëveshje, më 31 tetor.

Johnson po ashtu tha se edhe udhëheqësit e BE-së duan që Brexit-i “të kryhet”.

“Ata janë shumë entuziastë për t’u marrë me të ardhmen. Ata e konsiderojnë Brexit-in tani si një pengesë, një argument të vjetër. Ata duan të flasin për partneritetin e ri që ne do të ndërtojmë”, tha Johnson.

Ai ka këmbëngulur vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.

Udhëheqësi i Partisë opozitare Laburiste, Jeremy Corbyn, dëshiron të thërrasë një votë mosbesimi ndaj Qeverisë britanike, për të parandaluar Brexit-in pa marrëveshje.

Nëse e fiton këtë votë, Corbyn planifikon të bëhet kryeministër i përkohshëm, ta shtyjë Brexit-in, të thërrasë zgjedhje të parakohshme dhe të bëjë fushatë për një tjetër referendum për daljen ose jo të Britanisë nga BE-ja.

Data për Brexit është shtyrë dy herë.

Ish-kryeministrja britanike, Theresa May, ka arritur vitin e kaluar marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit, por marrëveshja e saj është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik.

BE-ja ka thënë se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes.

Britania ka vendosur të dalë nga BE-ja përmes një referendumi në vitin 2016, por institucionet financiare e kanë paralajmëruar atë për pasoja të rënda ekonomike nëse Brexit-i bëhet pa marrëveshje me BE-në.

 

Fraksion.com