Durrës; Veliera nga Katari: Qindra qytetarë vizitojnë anijen-muze në fundjavë
Që prej tre ditësh në portin e e Durrësit është ankoruar veliera nga Katari, “Fateh Al Khair 4”, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë. Lundrimi i kësaj anije, bashkë me trashëgiminë kulturore të Katarit promovon edhe Kupën e Botës në futboll “Qatar 2022”.
Ajo mbërriti të shtunën në mbrëmje dhe gjatë tre ditëve të qëndrimit në port është vizituar nga qindra qytetarë durrsakë.
Bashkia e qytetit kishte organizuar një pritje të bukur për mysafirët nga Katari.
Autoriteti Portual kishte marrë të gjitha masat për hyrjen e velierës në port, si dhe për sigurinë e vizitorëve dhe të mjeteve.
Nën kujdesin e Forcës së Sigurisë Portuale (FSPD) ditën e shtunë dhe të dielë qytetarët hynë lirisht për të parë anijen nga Katari në mjediset e portit më të madh të vendit.