AktualitetBota+Të fundit

Në samitin e G-7ës, udhëheqësit evropianë përballë Presidentit Trump

Vendet më të industrializuara të botës, të njohura me emërtimin G-7, kanë filluar sot punimet e samitit të tyre të përvitshëm. Punimet do të zgjasin deri ditën e hënë, në qytetin bregdetar francez Biarritz, i mirënjohur për sportin ujor surfing.

Udhëheqësve të G-7ës nuk u duhet të përballen vetëm me çështje urgjente ekonomike, por edhe me temperamentin e Presidentit amerikan të njohur për pikëpamje anti-globaliste dhe për qëndrime konfrontuese ndaj aleatëve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u shpreh përpara zhvillimit të punimeve të samitit se viti i kaluar dëshmoi që “është bërë gjithnjë e më e vështirë të gjejmë gjuhën e përbashkët”. Ai saktësoi se G-7ta nuk do të bjerë në asnjë mënyrë dakort me propozimin e Presidentit amerikan për të rikthyer në tryezë Rusinë. Zoti Tusk gjithashtu tha se nuk do të bashkëpunohet për një dalje të Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje, si dhe paralajmëroi se luftërat tregtare do të shkaktojnë dobësimin e besimit mes vendeve të Grupit G-7.

Pasi u mirëprit nga Presidenti francez Macron, Presidenti Trump u shpreh se kanë një miqësi të hershme dhe shumë gjëra të përbashkëta dhe se megjithë devijimet e herëpashershme, miqësia mes tyre vazhdon të mbetet e veçantë.

Sidoqoftë, përpara nisjes të premten nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa për verat franceze, por gjithashtu tha se pret të ketë bisedime produktive me udhëheqësit botërorë.

“…Sinqerisht nuk dëshiroj që Franca të vendosë taksa ndaj kompanive tona. Shumë e padrejtë. Nëse do të veprojnë kështu, ne do t’i vendosim taksa që nuk i kanë parë kurrë më parë. Kompanitë tona i taksojmë vetë, nuk duhet t’i taksojë Franca”, tha Presidenti Trump.

Samiti i G-7ës në Biarritz do të përfundojë pa një deklaratë të përbashkët. Presidenti francez Emmanuel Macron pati sugjeruar se arsyeja janë mosmarrëveshjet mes Presidentit Trump dhe udhëheqësve të tjerë për çështje kyçe, si Irani dhe ndryshimet klimatike. Do të jetë hera e parë që një samit i G-7ës do të përfundojë pa një deklaratë të përbashkët.

Trump-Johnson

Një nga takimet bilaterale më të pritura në rrethinat e samitit është ai mes presidentit Trump dhe Boris Johnson-it, i cili mori përsipër postin e kryeministrit britanik pasi Theresa May nuk arriti të arrijë të realizojë Brexit-in.

Me më pak se tre muaj deri në afatin e fundit, Johnson i ka mëshuar mesazhit për ta nxjerrë vendin e tij nga BE-ja në takime që pati me presidentin Macron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel. Johnson shpreson se takimi i tij me presidentin Trump mund të çojë më tej perspektivën e një marrëveshje bilaterale tregtare pas Brexit.

Analistët thonë se një marrëveshje e tillë nuk ka të ngjarë.

“Mund të ketë disa njerëz në kampin Trump që shpresojnë se do të ketë diskutime për një marrëveshje tregtare SHBA – Britani,” tha Matthew Goodman me Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, “por unë nuk mendoj se kjo është shumë e mundshme derisa të zgjidhen çështjet rreth Brexit-it “.

Kryetari i Këshillit të Evropës Donald Tusk ka theksuar se blloku nuk do të bashkëpunojë me Britaninë për një Brexit pa marrëveshje. “Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë ide që janë operacionale, realiste dhe të pranueshme për të gjitha vendet anëtare të BE”, tha zoti Tusk por ai shtoi se shpreson që kryeministri Johnson të mos hyjë në histori si “Zotëria Pa Marrëveshje. ”

Presidenti Trump ka qënë mbështetës i hershëm i Brexit-it. Në qershor, përpara vizitës së tij në Britani, presidenti Trump i kërkoi Britanisë të dilte nga BE-ja pa marrëveshje, nëse nuk i pëlqenin termat e ofruara nga Brukseli.

“Nëse nuk arrini marrëveshjen që dëshironi, nëse nuk arrini një marrëveshje të drejtë, atëherë jlargohuni,” tha ai.

Trump dhe Johnson njihen si personalitete të debatueshme dhe të paparashikueshme. Shumë presin të shohin se çfarë lloj titujsh gazetash do të gjenerojnë të dy udhëheqësit në samit gjatë fundjavës./VOA

 

Fraksion.com