“U nis për punë por u kthye i vdekur”; Flet babai i 26-vjeçarit: Djalin e kisha të sjellshëm
Edhe pse dhimbja është e madhe, babai i 26-vjeçarit që ndërroi jetë sot në spital, pas ngjarjes së djeshme në Tiranë, ka gjetur forcë për të folur, duke bërë edhe apel për drejtësi.
Djali i tij, Indrit Çelaj, 26 vjeç, u qëllua me plumb në kokë, pas një konflikti në një vilë tre katërshe pranë “Myslym Shyrit”, ku kishte shkuar për të instaluar një kondicioner.
Indriti fillimisht u plagos rëndë, por mëngjesin e sotëm ndërroi jetë në Spitalin e Traumës.
Familja Çelaj në fshatin Ngraçan të Fierit ka hapur dyert e mortit, ndërkohë babai i Indritit, u shpreh për “Ora Neës”, se “kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit . Kjo është fatkeqësie madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi” të thotë Baftjari, babai i Indritit.
Ai madje tregoi se vdekjen e djalit e mori vesh nga media.
“Kjo është fatkeqësi e madhe. Djali ishte në punë, punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët.”
Ai tha se “djali im është vrarë ne 11 paradite, unë e mora vesh në orën 19:00 në darkë. Rrallë gjen djalë si ai, nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re.”
Mes dhimbjes i ati i 26-vjeçarit duket se nuk ka besim as të drejtësia.
“Po qe se janë këto politikanë që janë në këto 30 vjet, të ndyrë, të fëlliqur, Shqipëria nuk bëhet”, tha ai i revoltuar, duke mos pasur besim as te drejtësia.
Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicionerësh u vra dje në mesditë në vilën ku kishte shkuar për të instaluar një kondicioner. Policia ka shpallur në kërkim dy djemtë e pronarit të vilës, pas ngjarjes së rëndë që tronditi kryeqytetin ditën e djeshme.
Fraksion.com