AktualitetTë fundit

Sot, Dita Europiane e kujtimit të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ka përkujtuar ditën Europiane të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit.

23 Gushti është Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të 20-të që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të komunizmit dhe nazizmit.

“Është një ditë e cila shënohet në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ndërkohë që njihet edhe si “Dita e Shiritit të Zi”. Parlamenti Evropian ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe nazizmit në vitin 2008 dhe që prej atëherë shënohet zyrtarisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo ditë përkujtimore mbështetet gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, -thonë specialistët e muzeut “Shtëpia me gjethe”.

Dita e 23 gushtit është zgjedhur si ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe të nazizmit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, pikërisht më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakord për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore.

 

Fraksion.com