AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump këmbëngul se demokratët janë të dëmshëm për Izraelin

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdoi të këmbënglute të mërkurën që hebrenjtë amerikanë duhet të votojnë për republikanët, sepse votimi për një demokrat do të tregonte injorancën nga ana e tyre ose mungesë besnikërie. Deklarata e tij fillestare para disa ditësh ishte pjesë e një sulmi ndaj katër ligjvënëseve demokratë, dy prej të cilave janë ndaluar të vizitojnë Izraelin, me sa duket me nxitjen e tij. Shumë hebrenj amerikanë thonë se vënia në diskutim e besnikërisë së tyre nga zoti Trump është e ngjashme me një paragjykim historik që ka ushqyer ksenofobinë kundër hebrenjve në të gjithë botën. Komentet e Presidentit Trump kanë shkaktuar reagime të ndryshme në Izrael.

Zoti Trump i ritheksoi komentet e së martës se hebrenjtë amerikanë që votojnë për demokratët “tregojnë ose një mungesë totale dijeje ose një mungesë të madhe besnikërie”. Para se të nisej për një vizitë në Kentucky të mërkurën, presidenti shkoi edhe më tej, duke thënë se demokratët duan të bëjnë shumë gjëra që dëmtojnë Izraelin.

“Sipas mendimit tim, (nëse) votoni për demokratët, po tregoheni shumë jo besnik ndaj popullit hebre dhe Izraelit. Dhe vetëm njerëzit e dobët nuk do ta thonin këtë.”

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, ligjvënës hebre me peshë në Kongresin Amerikan, dënoi komentin në Twitter, duke thënë se është nxit — me dashje ose pa dashje – antisemitët në të gjithë vendin dhe botën.

Senatori Bernie Sanders nga Vermonti, i vetmi hebre që kandidon për president, reagoi ndaj komentit në një tubim në Iowa të martën.

“Unë jam një hebre krenar dhe nuk kam asnjë problem të votoj për demokratët. Dhe në fakt, unë kam ndërmend të votoj për një hebre që të bëhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.”

Shumë hebrenj në Izrael mbështetën presidentin amerikan.

“Ai ka të drejtë – 1 milion për qind. Ata nuk janë besnikë. Demokratët nuk janë besnikë. Ata ishin gjithmonë kundër nesh, kundër njerëzve, kundër vendit, kundër Izraelit. Ata na sollën Klintonin dhe Obamën. Çfarë bëri Obama? Vetëm solli probleme. Trumpi ka të drejtë “.

“Nëse e tha një gjë të tillë, ai me siguri e di se ç’po flet dhe është i vetëdijshëm për atë që po thotë. Nëse Trump e tha, unë jam dakord me të 100%”.

Të tjerë, përfshirë studiuesin dhe analistin nga Tel Avivi, Shmuel Rosner, shprehën shqetësimin.

“Ne e dimë nga historia jonë e gjatë se dyshimet për besnikërinë e hebrenjve nuk i shërbejnë kurrë popullit hebre. Qoftë nëse bëhet fjalë për besnikërinë ndaj vendeve të tyre, apo besnikërinë ndaj popullit të tyre, këto gjithmonë shërbejnë si municion në duart e armiqve të hebrenjve Dhe kur presidenti i Shteteve të Bashkuara thotë diçka të tillë, kjo krijon një mjedis ose atmosferë, që është e pashëndetshme dhe e pasigurt për shumicën e hebrenjve “.

Sondazhet e fundit tregojnë se rreth 75% e hebrenjve amerikanë identifikohen si Demokratë. Komentet e presidentit Trump për “besnikërinë” shihen si një përpjekje për ta ndryshuar këtë shifër. Pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, shumë hebrenj janë të shqetësuar se sugjerimet se ata janë më besnikë ndaj Izraelit dhe besimit të tyre sesa ndaj vendit të tyre mund të rrezikojnë sigurinë e tyre në një klimë rizgjimi të supremacistëve të bardhë dhe neo-nazistëve./VOA

 

Fraksion.com