Kryeministri Zaev mohon të jetë përfshirë në aferën “Reketi”
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka hedhur poshtë spekulimet për përfshirjen e tij, por edhe të politikanëve të tjerë në aferën “Reketi”.
Zaev ka thënë se asnjëherë nuk ka biseduar me një nga të arrestuarit në këtë skandal, Bojan Jovanovski, lidhur me siç është thënë “menaxhimin e situatës me të”.
Kreu i qeverisë ka komentuar edhe arrestimin e Prokurores Speciale, Katica Janeva, po ashtu e dyshuar në zhvatjen e 1.5 milion eurove të afaristit, Orce Kamçev, të cilit i është premtuar se do të ketë masa lehtësuese në një proces tjetër gjyqësor.
“Çdokush që ka gabuar duhet të përgjigjet para ligjit. Jemi krenarë se si pushtet ekzekutiv kemi krijuar kushtet që sistemi gjyqësor të punojë në mënyrë të pavarur dhe të kthejmë sundimin e ligjit në shtet. Ne po dëshmojmë se Maqedonia e Veriut po ndryshon me atë se tani askush nuk po ndikon në gjyqësor, nuk ka presione ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, ata po marrin vendime të pavarura”, ka deklaruar Zaev duke kërkuar nga partitë politike që sa më parë të ulen dhe të arrijnë marrëveshje për ligjin e Prokurorinë Speciale si dhe të zgjedhin një Prokuror Special në detyrë pas arrestimit të Katica Janevës.
“Partitë duhet të ulen dhe një orë e më parë të miratojmë ligjin për Prokurorinë Publike. Inkurajoj të gjithë në VMRO DPMNE dhe LSDM, sa më shpejt të vazhdojnë punën, pasi ditët janë të numëruara. Projektligji është dërguar në Kuvend kurse mandati i Prokurorisë Speciale skadon më 15 qershor. Kemi kapacitet si shtet që këtë ligj ta miratojmë. Një arsyeje shtesë për këtë është ajo se tani specialen e kemi pa drejtues”, ka thënë Zaev pas mbledhjes së këshillit qendror të LSDM-së.
Prokurores, Katica Janeva, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, pas marrjes në pyetje prej më shumë se katër orë./REL
Fraksion.com