Kina vendos tarifa të reja ndaj mallrave të SHBA-së
Kina bëri të ditur se ka vendosur tarifë ndaj mallrave amerikane që kapin vlerën rreth 75 miliardë dollarë.
Kjo masë është hakmarrje karshi tarifave të SHBA-së ndaj mallrave të Kinës, të cilat do të hyjnë në fuqi në dy faza, më 1 shtator dhe 15 dhjetor.
Ministria e Tregtisë në Kinë ka njoftuar për tarifat shtesë prej pesë ose 10 përqind, në gjithsej 5.078 produkte amerikane, duke përfshirë produktet bujqësore, naftë bruto dhe avionë të vegjël.
“Vendimi i Kinës për të vendosur tarifa shtesë ka ardhur nga njëanshmëria dhe proteksionizmi i SHBA-së”, tha ministria kineze, duke shtuar se tarifat reciproke gjithashtu do të hyjnë në fuqi në dy faza, më 1 shtator dhe 15 dhjetor.
Këshilltari për Tregti në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navaro, tha se bisedimet tregtare me Kinën do të vazhdojnë prapa dyerve të mbyllura.
Mosmarrëveshjet tregtare mes dy superfuqive ekonomike botërore kanë shkaktuar trazira në tregjet financiare.
Fraksion.com