AktualitetRajoniTë fundit

Gardh kundër emigrantëve; Sllovenia vendos tela me gjemba në kufirin me Kroacinë

Nga fjalët te veprat. Ishte njoftuar në fakt muaj më parë dhe tani, Sllovenia ka nisur të ndërtojë nëntë kilometra rrethim me tela me gjemba në kufirin me Kroacinë, për të përballuar fluksin e emigrantëve në rritje, në disa pika të caktuara.
Sipas mediave vendase, në javët e ardhshme do të ngrihen rreth katër kilometra shtesë rrethim me tela me gjemba, veçanërisht në zonat pranë lumit Kupa, mes lokaliteteve Vinica dhe Zunica.

Sidoqoftë ka zëra pro dhe kundër rrethimit në kufi. Ka nga ata që thonë se rrethimi është një instrument për të ndihmuar policinë të bllokojë ata që tentojnë të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.

Ministri i Brendshëm slloven ka qartësuar se barrierat shtesë janë vendosur në zonat ku është konsideruar e domosdoshme nga policia për të parandaluar emigracionin e paligjshëm. Aktualisht, sipas të dhënave të shpërndara nga shtypi slloven, bëhet fjalë për 179 km barriera teknike të përkohshme përgjatë kufirit slloveno-kroat, prej të cilave 116 km me tela me gjemba dhe 63 km me panele.

 

Fraksion.com