Dosja 184, Krimet e Rënda shpallin moskompetencë, hetimet në Dibër
Prokuroria për Krime të Rënda heq dorë nga hetimi i dosjes së bujshme 184, ku zyrtarë të lartë socialistë dëgjohen në përgjime në biseda për blerjen e votës, në zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Dibrës në shtator të 2016, pas shkarkimit të Shukri Xhelilit, që u përfshi në një skandal seksual. Hetimet për këtë cështje do të vijohen nga prokuroria e Dibrës.
Vendimi për shpalljen e moskompetencës u firmos nga prokurori Klodian Braho në muajin korrik, në heshtje të plotë, teksa vendi ziente nga debati për zgjedhjet e 30 qershorit, që u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës.
Institucioni i Krimeve të Rënda pranoi faktin se dosja nuk po hetohet më nga ana e saj, por nuk dha shpjegime të metejshme, mbi argumentat që janë përdorur për transferimin e materialit në drejtim të Prokurorisë së Dibrës.
Megjithatë, burime të besuara thonë se prokurori Braho ka argumentuar se në këtë cështje nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, e për këtë shkak dosja nuk është në kompetencën e Krimeve të Rënda për ta hetuar.
Aktualisht mësohet se materiali është regjistruar në Dibër dhe pritet caktimi i prokurorit që do të marrë në shqyrtim dosjen e shumëpërfolur hetimore e cila u shndërrua në objekt debati të fortë mes palëve politike, pas përgjimeve të publikuara nga tabloidi gjerman “Bild”.
Kalimi i dosjes 184 në prokurorinë e Dibrës ngre pikëpyetje të mëdha, përderisa ky institucion drejtohet nga Esmeralda Cami, e cila rezulton të ketë lidhje farefisnore me një nga personat nën hetim.
Hetimet per rastin nisën pas kallëzimit që Partia Demokratike beri në shtator të 2016, ku ngrinte dyshime se zyrtarë të lartë po ndikonin në rezultatin zgjedhor për kryebashkiakun e Dibrës. Me vendim të gjykatës së Krimeve të Rënda u përgjuan të paktën 20 numra telefoni dhe nën hetim u morën një numër i madh zyrtarësh lokalë.
Në përgjimet që u publikuan nga BILD, dëgjohen eksponentët e lartë të maxhorancës, që nga kryeministri i vendit, Edi Rama, ish-ministri Damian Gjiknuri, ish deputetët, Pjerin Ndreu e Artan Gaci, funksionari i policisë, Arben Keshi si dhe zyrtarë lokalë në Dibër.
Fraksion.com