Turqi: Qyteti i lashtë Hasankeyf duhet të përmbytet për t’i bërë vend digës
Banorët e Hasankeyf duhet të shpërngulen, sepse aty do të ngrihet diga më e madhe në Europë. Por diga do të përmbytë një nga vendbanimet më të vjetra të kontinentit. Banorët kanë luftuar deri në fund kundër projektit.
Hasankeyf ndodhet në mes të njërit prej vendbanimeve më të vjetra të njerëzimit. Lugina është e banuar që nga shekulli i tretë. Asirianët, romakët dhe Seldçukët kanë lënë gjurmët e tyre këtu. Disa xhami dhe varre të rëndësishme historike janë transportuar në një park arkeologjik.
3000 banorët e Hasankeyfit jetojnë nga turizmi. Yildirimer është shoqërues turistësh dhe ai u shet atyre broshura me ngjyra. Se me çfarë do të jetojë ai pas përmbytjes së qytetit, këtë as vet nuk e di. Në Hasankeyfin e ri nuk ka punë:„Që para se të bartemi këtu kemi shpenzuar rreth 5000 Euro për rikuperimin e mangësive që kishte kjo shtëpi. Nga ana tjetër që tani janë duke ardhur gjithnjë e më pak turistë. Dikur këtu kishte 20 shitësh broshurash turisitke. Tani kanë mbetur vetëm gjashtë.”
Në mbarë botën mbrojtësit e mjedisit dhe arkeologët janë angazhuar për ruajtjen e Hasankeyfit. Kredidhënësit europianë u tërhoqën prej projektit energjetik të digës. Por as kjo nuk ndihmoi. Policia u është kundërvënë ashpër protestave në vend, siç ndodhi edhe në fund të korrikut.
Banorët e dinë, se qyteti i tyre Hasankeyfi nuk mund të shpëtohet më. Por si do t’i bëhet më tej? Politikanët u premtojnë atyre një të ardhme të ndritur pranë digës: Abdullah Talhan, kryetari bashkie në Hasankeyf:„Kjo do të jetë diga më e madhe në Europë, 170 km e gjatë. Në brigjet e saj do të krijohen zona të reja, ku mund të peshkohet apo të organizohen ture me anije.”
Turistët në fakt nuk do të kenë dëshirë që të kthehen sërish në Hasankeyf për të peshkuar në digë. Ja si shprehet një turist: „Kjo është një trashëgimi e kulturës botërore. Asnjë lloj energjie nuk ka vlerë për ta shkatërruar këtë trashëgimi.”
Kurse banorëve do t’u duhet ta nisin nga zeroja në Hasankeyfin e Ri pa e ditur se çfarë i pret e si u vjen e ardhmja. Çetin Yildirimer do të preferonte të vazhdonte t’u tregonte turistëve shpellat gëlqerore të kësaj zone. Më të vjetrat prej tyre janë rreth 3000 vjeçare. Dikur ato shërbenin si varreza, më vonë u kthyen në vendbanime. Deri në vitet 1970. Më vonë vetëm pak prej këtyre shpellave do të mbulohen prej ujit të digës. Shoqëruesi i ri i turistëve nuk arrin ta kuptojë, se si protesta kundër këtij projekti nuk ishte edhe më e madhe me jehonë mbarëbotërore: “E gjitha kjo nuk është se u përket vetëm njerëzve në Hasankeyf apo në Turqi. Ky vend i përket të gjithë njerëzve! Këtu është djepi i njerëzimit.”
Sidoqoftë këtej e tutje edhe për Yildirimer në vend të shpellave gëlqerore do të ketë një vendbanim të ri. Nga lugina poshtë ai ka sjellë dy fidanë pemësh dhe i ka mbjellë ato para shtëpisë së re. Nga vendbanimi i tij i mëparshëm për pak muaj nuk do të mbetet më asgjë më tepër se kaq.
Hasankeyfi i lashtë do të mbulohet përgjithmonë nga uji./DW
Fraksion.com