AktualitetBota+Të fundit

Metodat mesjetare të ndërtimit mund të ndihmojnë në riparimin e Notre Damit

Pas zjarrit që përfshiu katedralen Notre Dame në prill, filloi një debat mbi mënyrën më të mirë për të riparuar katedralen gotike në lavdinë e saj të mëparshme. Një kështjellë mesjetare, në një zonë rurale franceze, mund të ofrojë disa nga përgjigjet për riparimin e katedrales së Notre Damit. Kështjella e Guedelonit, në rajonin qendror Burgundi të Francës, po pajiset me frëngji të reja.

Muratorët po vendosin gurët, ndërsa punëtorët e tjerë përdorin një rrotë të madhësisë së njeriut për të ngritur një ngarkesë gurësh.

Ndërsa kështjella dhe ndërtuesit e saj mund të duken si një pamje e shekullit të 13-të, ajo është ndërtuar para 20 vjetësh.

Që kur guri i parë u vendos më 1997, ekuipazhi ka përdorur vetëm teknika të ndërtimit të periudhës mesjetare. Kjo u ka dhënë atyre përvojë të çmueshme praktike në ndërtimet e stilit mesjetar, për të cilën bashkë-themeluesja e Projektit, Maryline Martin thotë se mund të jetë e dobishme për restaurimin e Katedrales së Notre Damit.

“Nuk ka dyshim se zdrukthëtarët në Francë janë në gjendje të presin copa druri për të riparuar strukturën e Notre Damit. Nga ana tjetër, aftësia për të punuar me lisin e gjelbër, ashtu siç është bërë në mesjetë, krijimi i copave katrore me dorë dhe bashkimi i tyre brenda gjashtë muajve është diçka që ne jemi të specializuar këtu në Guedelon”.

Ata mund t’ua mësojnë punonjësve në Katedralen e Notre Damit aftësitë që zdrukthëtarët e shekullit të 21 nuk i posedojnë më, thotë Stephane Boudy, zdrukthëtar në punëtorinë e kështjellës së Guedelonit.

“Pas 20 vjetësh në këtë kantier ndërtimi, ne kemi fituar ekspertizë dhe përvojë për të trajnuar dhe këshilluar njerëzit në mënyrë që ata të jenë në gjendje të riprodhojnë atë strukturë prej druri.”

Gurët në Guedelon janë gërmuar me dorë, duke përdorur çekiç druri dhe dalta. Mjetet mesjetare dhe praktikat e punës janë hulumtuar me kujdes duke përdorur burime të dokumentuara dhe duke ekzaminuar rrënojat e kështjellave.

Kemi bërë një numër të madh provash dhe gabimesh, thotë zyrtarja e komunikimit Sarah Preston.

“Unë mendoj se ajo që Kështjella e Guedelonit ofron është një përvojë pragmatike 20 vjeçare. Ne kemi shifra, fakte dhe mund t’i përgjigjemi disa prej pyetjeve që janë shtruar kohëve të fundit.”

Edhe pse kullat ikonike dhe dritaret e trëndafilave të Notre Damit u shpëtuan nga zjarri, rikthimi i katedrales në karakterin e saj origjinal do të jetë një detyrë e ndërlikuar.

Ndërsa ekipi i Kështjellës së Guedelonit nuk do të përfshihet në restaurimin aktual, njohuritë e tyre teknike mesjetare do të ndihmojnë arkitektët dhe shkencëtarët që po vlerësojnë gjendjen strukturore të katedrales së Notre Damit para fillimit të punës.

“Mendoj se ne mund të shërbejmë si një frymëzim, pasi kemi këto teknika që u përdorën për të ndërtuar monumentet që ne akoma i admirojmë sot dhe këto teknika mund të përdoren për t’i rikthyer këto objekte në gjendjen e mëparshme në mënyrë që ato të qëndrojnë edhe për 800 vite të tjera.”

Ndërkohë, puna për ndërtimin e Kështjellës së Guedelonit po vazhdon dhe çdo vit vijnë 300,000 vizitorë për të shijuar një pamje të kohës së Mesjetës.

 

Fraksion.com