AktualitetBota+Të fundit

Cisterna e ndaluar iraniane largohet nga Gjibraltari

Një supercisternë iraniane u largua të dielën nga Gjibraltari, ku autoritetet kundërshtuan një kërkesë të Shteteve të Bashkuara për ta ndaluar atë. Sot cisterna lundroi nëpër Mesdhe drejt Greqisë dhe Irani tha se çdo hap i SHBA për ta ndaluar atë përsëri, do të kishte pasoja të rënda.

Teherani tha se ishte gati të dërgonte flotën e tij detare për të shoqëruar anijen, të ngarkuar me 2.1 milion fuçi naftë të papërpunuar me vlerë 130 milion dollarë.

Anija, me emrin Grace 1, por që Irani i ka vënë tani emrin Adrian Darya 1, u kap më 4 korrik nga Gjibraltari, një territor britanik, pasi autoritetet e atjeshme besonin se nafta e papërpunuar ishte drejtuar për në Siri, aleate e Iranit, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi paralajmëroi SHBA të hënën, që të mos bënte përpjekje për ta kapur përsëri cisternën në ujërat ndërkombëtare:

“Nëse një hap i tillë është ndërmarrë por edhe nëse është shprehur gojarisht dhe nuk është bërë, ai konsiderohet një kërcënim kundër sigurisë detare në ujërat ndërkombëtare. Republika Islamike e Iranit ka dhënë paralajmërimet e nevojshme për zyrtarët amerikanë përmes kanaleve zyrtare, siç është ambasada zvicerane në Teheran, për të mos e bërë një gabim të tillë i cili do të sillte pasoja të rënda”.

Autoritetet e Gjibraltarit vendosën ta lënë të lirë cisternën të enjten, duke thënë se kishin marrë garanci me shkrim nga Teherani se nafta e papërpunuar nuk do të dërgohej në Siri.

Të premten, qeveria amerikane nxorri një urdhër gjykate në Uashington që autorizonte sekuestrimin e anijes, të naftës brenda saj dhe rreth 1 milion dollarë. SHBA tha se ishin trupat e Rojes Revolucionare Islamike të Iranit, të klasifikuara si grup terrorist nga Uashingtoni, ato që po bënin dërgesën e paligjshme të naftës në Siri, në shkelje të sanksioneve amerikane kundër Iranit.

Por Gjibraltari tha të dielën se “nuk ishte në gjendje të kërkonte një urdhër të Gjykatës së Lartë të Gjibraltarit” për të ndihmuar SHBA të zbatonin urdhrin e sekuestrimit.

Kapja e cisternës ishte një nga disa incidentet e javëve të fundit që kanë shkaktuar tensione të mëdha midis Teheranit dhe vendeve perëndimore. Në muajin korrik, Irani kapi një cisternë nafte me flamur britanik, Stena Impero, në Gjirin Persik.

SHBA dhe Irani kanë rrëzuar avionë pa pilot të njëri-tjetrit dhe vendet perëndimore kanë akuzuar Teheranin për kryerjen e sulmeve të tjera ndaj anijeve në Gjirin Persik, ku një e pesta e prodhimit të naftës në botë kalon nëpër ngushticën e Hormuzit.

Incidentet, të paktën pjesërisht, janë pasojë e tërheqjes së Presidentit amerikan Donald Trump vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 që synon të frenojë programin e armëve bërthamore të Teheranit. Presidenti Trump më pas vendosi sanksione, të cilate kanë dobësuar ekonominë iraniane.

 

Fraksion.com