Çështja e emigrantëve në bordin e anijes “Open Arms”
Drejtuesit e anijes spanjolle me mision bamirësie e shpëtimi “Open Arms” njoftuan të hënën se Madridi dhe Roma duket se kanë arritur një marrëveshje që emigrantët në bordin e saj, të zbarkojnë në ishullin Majorka të Spanjës, por qeveria spanjolle mohoi arritjen e një marrëveshje të tillë.
“I vetmi informacion i saktë është se qeveria spanjolle i ka bërë një ofertë anijes “Open Arms” të udhëtojë drejt portit më të afërt spanjoll dhe se qeveria italiane po shkel ligjin duke mos lejuar që emigrantët të zbarkojnë në Lampedusa”, thuhej në një deklaratë të qeverisë.
Prej 18 ditësh, të 107 emigrantët, shumica e tyre afrikanë, qëndrojnë në anije pranë ishullit italian të Lampeduzës. Ministri i Brendshëm përfaqësues i së djathtës italiane Matteo Salvini, ka urdhëruar zyrtarët që të mos lejojnë zbarkimin e emigrantëve. Ndërkohë të shtunën ai urdhëroi që të lejohet zbritja nga anija e vetëm 27 të miturve.
Qeveria spanjolle, e cila e përsëriti të hënën ofertën e saj njoftoi se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga anija “Open Arms” se çfarë do të bëjë. Zëvendës Kryeministrja në detyrë Carmen Calvo tha për një radio vendase (Cadena Ser) se qeveria kishte “shpenzuar gjithë fundjavën duke biseduar me qeverinë italiane, e duke u kërkuar atyre që të përgjigjen”.
Drejtuesit e anijes “Open Arms” thonë se lundrimi i mëtejshëm larg ishullit të Lampeduzës do të ishte “i pakuptimtë” duke marrë parasysh përkeqësimin kushteve në anije./VOA
Fraksion.com