Arkivat kombëtare shënojnë ditën kur gratë amerikane fituan të drejtën e votës
Ky vit shënon 100 vjetorin e miratimit të amendamentit të 19-të të Kushtetutës, i cili u garanton miliona grave amerikane të drejtën për të votuar. Përpjekjet e vazhdueshme të aktivisteve për këtë çështje, janë në fokus të një ekspozite të hapur në Arkivën Kombëtare në Uashington.
Arkivat kombëtare në Uashington ruajnë disa nga dokumentet më të rëndësishme në historinë amerikane, si amendamenti i 19-të që u miratua në Kongres para afër një shekulli.
“Para afër 100 vitesh, amendamenti i 19-të u ndaloi shteteve dhe qeverisë federale t’iu mohojnë qytetarëve amerikanë të drejtën e votës në baza gjinore. Këtu në Arkivat Kombëtare jemi krenarë që shënojmë këtë përvjetor të rëndësishëm”, tha zëvëndës Arkivistja e Shteteve të Bashkuara, Deborah Steidel Wall.
Në nderim të kësaj ngjarje është hapur ekspozita me titull “E drejta e saj”, ku janë paraqitur figurat kryesore që ndihmuan këtë çështje, si aktivistja Ida Wells Barnet.
Gratë gjithmonë i kanë shërbyer demokracisë, si në rastin e Jeanette Rankin nga Montana që fioi një vend në Kongres në vitin 1916, para se të miratohej amendamenti. Ajo nuk ishte e vetme.
Shumë gra shërbyen në Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.
Veç fitoreve në të kaluarën, ekspozita “E drejta e saj” vë në pah edhe sfidat me të cilat përballen votueset sot.
“Na kujton se e drejta për të votuar, që për mendimin tonë është themeli i demokracisë, nuk garantohet gjithmonë, por është fituar me punën e palodhshme të aktivisteve për gjenerata të tëra”, tha Deborah Steidel Wall, zëvendës arkiviste e Shteteve të Bashkuara.
Kuratorja Corinne Porter shpreson që mesazhi i ekspozitës të përqafohet nga gratë kudo në botë.
“Fuqia e votës tuaj është zëri juaj në qeveri. Mendoj se kudo në botë, kjo është e vërteta. Shpresoj që grate ta shohin këtë dhe të votojnë nëse munden dhe të vazhdojnë presionin për të drejtën e votës”, thotë Corinne Porter, kuratore e ekspozitës.
Nga e kaluara e deri tash, kontributi i gruas në demokraci vazhdon të jetë vlerë në traditën amerikane./VOA
Fraksion.com