AktualitetBota+Të fundit

Uashington, shtëpia ku u njohën Zhaklinë dhe Xhon Kenedi

Zhaklinë Kenedi, ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara do të kishte mbushur 90 vjeç këtë verë. Për ta kujtuar këtë figurë të historisë amerikane, korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Moskalkov vizitoi shtëpinë ku ajo u prezantua me Xhon Kenedin, mbi 60 vjet më parë:

Kjo shtëpi në Uashington, në lagjen historike Xhorxhtaun të kryeqytetit amerikan, ka shumë për të rrëfyer. Këtu presidenti i ardhshëm Xhon Kenedi u prezantua në 1952 me vajzën simpatike Zhaklinë Buvier.

Në atë kohë zoti Kenedi ishte ligjvënës me një të ardhme të ndritur përpara, zonjusha Buvier ëndërronte të bëhej gazetare.

Kjo shtëpi e ndërtuar në vitin 1895 u bë dëshmitare e takimit të parë të një çifti që do të bëhej pjesë e historisë.

Vjet, kur shtëpia u nxor për shitje, biznesmeni Scott Stewart, një simpatizant i madh i Xhon Kenedit, e bleu dhe tani e ka shndërruar në një formë muzeu për gjurmën që la zoti Kenedi në histori:

“Idealet e tij puqeshin me idealet e mia. Optimizmi që i dha vendit në atë kohë dhe fakti që përgatiti terrenin për ndryshime që nuk u përmbushën dot, e bënë vdekjen e tij shumë trishtuese për amerikanët. Megjithatë ai la pas edhe një ndjenjë admirimi dhe respekti”.

Biznesmeni është me origjinë nga Bostoni, ashtu si zoti Kenedi. Ai e pa shtëpinë sapo u nxor për shitje dhe e bleu menjëherë:

“U futa në këtë dhomë ku jemi tani; m’u duk një hapësirë shumë e këndshme. Edhe vendndodhja në lagjen Xhorxhtaun ku ke afër çdo gjë që të nevojitet. Po ashtu fakti që shtëpia ka shumë lidhje me historinë. Nuk kisha si të mos e bleja”.

Shtëpia ruan të gjallë historinë e periudhës së Presidentit Kenedi, që nga portretet, fotografitë, revistat, librat e pllakat që përmbajnë fjalimet presidenciale. Zoti Stewart ka zgjedhur me kujdes çdo element të mobilimit të brendshëm për t’iu përshtatur stilit të viteve 1960.

“Pikturat, printet që kam vënë në zyrë i kam parë në hotelin W. Shumë gjëra të tjera m’i kanë falur si dhuratë. Është për t’u çuditur se sa gjëra të falin njerëzit nga koleksionet e tyre mbi familjen Kenedi, kur ke një shtëpi si kjo”.

Zoti Stewart pagoi 1.7 milionë dollarë për shtëpinë. Ai po bën disa restaurime, por thotë se ka në plan që në përgjithësi ta ruajë shtëpinë në të njëjtën formë si ishte në vitin 1952.

 

Fraksion.com