SHBA: Punëdhënësit dhe punësimi i emigrantëve të paligjshëm
Në operacionet për kapjen e imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar u arrestuan mbi 1500 imigrantë pa dokumente që po punonin nëpër fabrika dhe biznese të ndryshme. Por mesatarisht vetëm rreth 15 punëdhënës në vit përballen me akuza penale për punësimin të punëtorëve pa dokumente. Siç njofton korrespondentin i Zërit të Amerikës, Brian Padden, si mbështetësit ashtu dhe kundërshtarët e kufizimeve më të forta të imigracionit theksojnë se bastisjet e profileve të larta bëjnë shumë pak për të penguar emigracionin e paligjshëm për sa kohë që punëdhënësit nuk mbahen përgjegjës.
Agjentët e Agjencisë amerikane të Emigracionit dhe Doganave, kohët e fundit bastisën shtatë impiante të përpunimit të produkteve bujqësore në shtetin e Misisipit, duke arrestuar rreth 680 emigrantë pa dokumente.
Megjithatë, pak nga këto kompani ka të ngjarë të akuzohen për shkelje të statuteve federale për punësimin e paligjshëm të të huajve, sepse zakonisht është e vështirë të vërtetohet se ato kishin njohuri paraprake se punëtorët e tyre ndodheshin në vend në mënyrë të paligjshme.
Dënimet për punësimin e punëtorëve pa dokumente variojnë nga 100 deri në 10 mijë dollarë për shkelje dhe deri në gjashtë muaj burg për shkelje të shumta.
Grupet kundër emigracionit thonë se mungesa e një zbatimi të fortë të ligjit ndaj pronarëve të bizneseve ka bërë që të mos eliminohet nxitja kryesore për imigracionin e paligjshëm, vendet e punës.
“Ne po sulmojmë gjymtyrët. Ne nuk po sulmojmë rrënjën e problemit”, thotë Kevin Lynn nga organizata Progresistët për Reformën e Emigracionit.
Shumë kompani përdorin sistemin E-Verify, një program qeveritar vullnetar që kontrollon statusin juridik të punëtorëve. Por, edhe mbështetësit e bizneseve e pranojnë se është një sistem me të meta, sepse dokumentet e falsifikuara shpesh kalojnë pa probleme përmes këtij sistemi, duke u dhënë punëdhënësve justifikim për të mbajtur punonjësit e tyre.
“Programi E-Verify nuk funksionon dhe për këtë arsye ai është i popullarizuar, sepse kjo i bënë politikanët të duken agresiv kur e mbështesin atë, por e dinë që ai nuk do të dëmtojë ekonominë lokale”, thotë Alex Nowrasteh nga Insituti Cato.
Grupet e të drejtave të emigrantëve kundërshtojnë thirrjet që emigrantët pa dokumente që punojnë të trajtohen si kriminelë. Mbështetësit e bizneseve kërkojnë zgjerimin e emigracionit të ligjshëm për të trajtuar mungesën e krahut të punës në Shtetet e Bashkuara.
“Politika numër një që na duhet është të bëjmë të mundur që punëtorët me kualifikim të ulët dhe të mesëm të jenë në gjendje të vijnë në këtë vend në mënyrë të ligjshme, të punojnë për një afat të caktuar kohor dhe pastaj të jenë në gjendje të kthehen në vendet e tyre të lindjes”, thotë Alex Nowrasteh nga Insituti Cato.
Por, mbështetësit e masave të ashpra kundër imigracionit thonë se nuk ka mungesë të krahut të punës në vend, por thjeshtë një mungesë gatishmërie për të paguar punëtorët një pagë jetese. Ata duan që pronarët e bizneseve të përballen me dënime më të forta se sa gjoba të rastit për punësimin e imigrantëve pa dokumente.
“Ata e llogarisin atë si kosto të të bërit biznes dhe kjo duhet të ndryshojë. Unë mendoj se e vetmja gjë që do ta ndryshojë këtë janë dënimet e ashpra që mund të rezultojnë me burgosje”, thotë Kevin Lynn nga organizata Progresistët për Reformën e Emigracionit.
Si kritikët ashtu dhe mbështetësit e imigracionit janë dakord se masat e zbatimit të ligjit kanë qenë joefektive, por vazhdon të mos ketë konsensus mbi mënyrën se si të reformohet sistemi.
Fraksion.com