Cisterna iraniane përgatitet të largohet nga Gjibraltari
Autoritetet ndërkombëtare po vazhdojnë ta monitorojnë cisternën iraniane, e cila u lejua që të largohet nga Gjibraltari, pasi për një muaj ishte ndaluar, nën dyshimin se ka shkelur sanksionet e Bashkimit Evropian.
Cisterna iraniane raportohet se ka ndryshuar emrin pritet të nisë lundrimin, teksa autoritetet e Shteteve të Bashkuara ende po kërkojnë që ta sekuestrojnë atë.
Cisterna, që ishte emëruar Grace 1, sipas zyrtarëve iranian ka ndryshuar emrin në Adrian Darya dhe raportet se mund të largohet së shpejti nga Gjibraltari.
Ende nuk është e qartë se si autoritetet ndërkombëtare do të përgjigjen ndaj një urdhri të lëshuar nga SHBA-ja për sekuestrimin e anijes, që sipas Uashingtonit ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.
Cisterna Grace 1 ishte ndaluar nga Marina Mbretërore britanike më 4 korrik. Raportohej se kjo cisternë barte 2 milionë fuçi me naftë iraniane dhe besohej se nafta e kishte destinacion Sirinë – gjë që përbën shkelje të sanksioneve të BE-së.
Pas pesë javësh, Gjibraltari më 15 gusht hoqi ndalesën ndaj Grace 1, por Departamenti amerikan i Drejtësisë lëshoi një urdhër për sekuestrim, pasi tha se cisterna ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, që nga Uashingtoni konsiderohet organizatë terroriste.
Një përfaqësues i agjentit të anijes Grace 1, tha më 17 gusht se ekuipazhi i ri i anijes, i përbërë nga shtetas ukrainas dhe indian, do të marrin komandën e cisternës nga porti në Gjibraltar dhe anija do të jetë e gatshme të largohet nga territori britanik “për 24 deri në 48 orë”, duke mos treguar se cili do të jetë destinacioni i radhës i cisternës.
Fraksion.com