Uniformat, Policia e Shtetit hedh poshtë pretendimet e PD-së
Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga Partia Demokratike se ka shkurtuar kohëzgjatjen për garën e tenderit të Uniformave të policisë me qëllim favorizimin e “klientëve të qeverisë”.
Në një reagim të gjatë, thuhet se kjo akuzë vjen për shkak të mosnjohjes së ligjeve nga ana e tyre, ku shpjegojnë se bëhet fjalë për një procedurë të kufizuar.
Teksa ka dhënë me detaje se si procedohet në varësi të kësaj procedure, Ministria e Brendshme ka deklaruar se e gjitha kjo është bërë për të përgjysmuar koston ekonomike për operatorët ekonomik të interesuar të cilët nuk janë të detyruar të sjellin paraprakisht kampione apo monstra të mallrave.
Reagimi i plotë:
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në cilësinë e organit qendror blerës, ka publikuar me datë 26.07.2019 procedurën e prokurimit “Procedurë e kufizuar, mbi kufirin e lartë monetar – Prokurim Elektronik – Marrëveshje Kuadër me afat 4 vjet”, me objekt: “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, në emër e për llogari të autoritetit kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Duke qenë se, për këtë procedurë prokurimi janë ngritur publikisht disa pretendime të pavërteta, të cilat burojnë kryesisht nga mungesa e njohurive të legjislacionit të prokurimit publik, sqarojmë të gjithë të interesuarit, se:
Së pari, “Procedurë e kufizuar” është një prej llojeve të procedurave të parashikuara nga ligji për prokurimin publik, përmes së cilës çdo operator ekonomik mund të kërkojë të marrë pjesë (Faza e parë – Parakualifikimi), por vetëm operatorët ekonomikë të përzgjedhur në fazën e parë, mund të dorëzojnë oferta teknike dhe ekonomike (Faza e dytë – Ftesa për Ofertë).
Siç e parashikon ligji, procedura e kufizuar mund të përdoret atëherë kur është e domosdoshme të bëhet dallimi ndërmjet fazës së përzgjedhjes, ku trajtohet kualifikimi i kandidatëve dhe fazës së përcaktimit të kontratës fituese, ku shqyrtohet oferta teknike dhe ekonomike.
Procedura e kufizuar (me 2 faza) kombinon disa detyra deri në marrjen e produktit përfundimtar, dhe përdoret për shkak të karakterit shumë të ndërlikuar dhe të veçantë të mallrave e shërbimeve, të cilat mund të furnizohen, sigurohen dhe ekzekutohen nga operatorë ekonomikë, të pajisur me kapacitet të duhur teknik, profesional dhe financiar.
Ndarja në dy faza paraqet kosto më të ulëta ekonomike për operatorët ekonomik të interesuar, të cilët nuk janë të detyruar të përgatisin ofertat ekonomike dhe teknike që në fazën e parë (p.sh. kampione/mostra të mallrave), si dhe kosto më të ulëta administrative për organin qendror blerës.
Të dy fazat e kësaj procedure zhvillohen në rrugë elektronike, përmes platformës së prokurimit elektronik (përveç kampioneve/mostrave të mallrave, që dorëzohen fizikisht ditën e hapjes së ofertave, në fazën e dytë).
Gjendja e tregut vendas dhe atij të huaj e mundëson pjesëmarrjen në fazën e parë të parakualifikimit, të më shumë se dy operatorëve ekonomikë, të cilët mund të marrin pjesë edhe si bashkim operatorësh ekonomikë për të realizuar objektin e prokurimit.
Mallrat dhe shërbimet në lidhje me to, nuk gjenden lehtësisht në treg dhe kanë specifikime teknike e standarde të veçanta, të cilat janë të miratuara me akt nënligjor.
Prokurimi do të realizohet përmes “Marrëveshjes Kuadër”, si një instrument i përcaktuar nga legjislacioni i brendshëm për prokurimin publik dhe nga direktiva e Bashkimit Europian, që në rastin konkret garanton plotësimin e nevojave me uniforma për punonjësit e Policisë së Shtetit në çdo kohë, për një periudhë 4 vjeçare.
Së dyti, afati kohor në dispozicion të operatorëve ekonomik për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje në Fazën e parë – Parakualifikimi, i përcaktuar në dokumentet e tenderit dhe njoftimin e kontratës është 25 ditë, nga 20 ditë që është afati minimal ligjor.
Në këtë fazë parakualifikuese, operatorëve ekonomik nuk iu kërkohet të përgatisin dhe paraqesin kampione/mostra të uniformave, por vetëm dokumentacionin minimal ligjor të përcaktuar për këtë fazë.
Në përfundim të vlerësimit të kërkesave për pjesëmarrje në fazën e parë dhe respektimit të afateve ligjore të ankimimit administrativ, nëse do të ketë të paktën dy operatorë ekonomik të kualifikuar, atyre do t’ju dërgohet “Ftesa për Ofertë”, në të cilën do të përcaktohet edhe afati kohor në dispozicion për përgatitjen dhe dorëzimin e ofertës teknike dhe ekonomike për fazën e dytë.
Afati minimal i përcaktuar në ligj, për dorëzimin e ofertave në fazën e dytë është 20 ditë, por duke patur parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e procesit të përgatitjes së ofertës teknike dhe ekonomike, ku përfshihen edhe kampionet/mostrat e uniformës dhe dokumente të tjerë teknikë, afati që do të lihet në dispozicion do të jetë mëse i mjaftueshëm dhe i arsyeshëm për përgatitjen e ofertave nga të gjithë operatorët e kualifikuar.
Përsa u sqarua më sipër, përgënjeshtrojmë çdo pretendim, në lidhje me procedurën dhe afatet e saj, si dhe garantojmë, se përzgjedhja e fituesit do të realizohet në përputhje me parimet e mosdiskriminimit, transparencës dhe barazisë në trajtimin e kërkesave dhe detyrimeve ndaj operatorëve ekonomik.
Ftojmë dhe inkurajojmë çdo operator ekonomik të interesuar, vendas dhe të huaj, të marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi!
Fraksion.com