AktualitetRajoniTë fundit

Raporti serb: Humbim 1 milionë euro në ditë nga taksa me Kosovën; 3800 biznese në faliment

Serbia po vazhdon të ankohet për taksën që Kosova e ke vendosur ndaj mallrave të tyre që prej tetë muajsh. Në Serbi nuk po hezitojnë edhe t’i kalkulojnë humbjet që janë shkaktuar nga kjo taksë. Shifrat e fundit kanë treguar se nga Serbia 260 milionë euro më pak mallra janë vendosur në Kosovë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 1 milionë euro në ditë. Taksa prej 100 për qind për produktet serbe është vendosur më 21 nëntor të vitit të kaluar.

Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajiq  ka treguar se gjatë tetë muajve, aq sa është në fuqi taksa e vendosur nga autoritetet e Kosovës për mallrat nga Serbia, 260 milionë euro më pak mallra janë vendosur në Kosovë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Këto janë humbje të drejtpërdrejta financiare, por dëmi afatgjatë do të jetë edhe më i madh, pasi biznesmenët tanë mund të humbasin përgjithmonë atë treg,” theksoi Ljajiq.

Serbia ka treguar se vendet e tjera tashmë e kanë shfrytëzuar këtë taksë duke përfituar.

“Kështu, në maj, Greqia rriti eksportet e saj në Kosovë me tre herë e gjysmë, Hungaria, Sllovenia, Bullgaria dhe Kroacia më shumë se dy herë e gjysmë, dhe Maqedonia Veriore me 50 për qind”.

Raportet e institucioneve serbe flasin për humbje të mëdha prej qindra miliona euro nga eksporti i mallrave në Kosovë. Madje në Serbi, po falimentojnë ndërmarrje e po humben vende pune.

Në raportin 8 mujor, Ministria e Tregtisë së Serbisë ka vlerësuar se për shkak të taksës që i vuri Kosova, Serbia për çdo ditë po i humbë së paku nga 1 milion euro.

Madje në këtë raport thuhet se përgjatë periudhës 21 nëntor deri me 31 korrik, nuk po sigurohen as pagat mujore për 25 mijë vende të punës.

Raporti 8 mujor i Ministrisë së Tregtisë Serbe

– Nga 21 Nëntori i vitit 2018 deri me 31 Korrik 2019, Serbia ka humbur 260 milionë euro nga mos eksporti i mallrave në Kosovë për shkak të taksës 100 %.

– Mbi 25 mijë vende të punës në Serbi kanë pushuar të sigurojnë pagat mujore.

– 3800 Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Serbi të cilat prodhimtarinë e vet e kanë bazuar në tregun Kosovarë po falimentojnë.

– Humbjet do të jenë afatgjatë sepse firmat Serbe përfundimisht do ta humbin tregun nga konkurrenca e shteteve tjera që janë futur në tregun e Kosovës.

– Shqipëria e ka dyfishuar eksportin në Kosovë, Greqia e ka trefishuar, Hungaria, Sllovenia, Bullgaria dhe Kroacia e kanë dyfishuar eksportin e mallrave në Kosovë ndërsa Maqedonia e ka rritur eksportin në Kosovë për 45 %.

– Vlerësimet e Ministrisë të Tregtisë tregojnë se Serbia për çdo ditë humbë nga 1 milion euro për shkak të Taksës100%.

Kujtojmë se tashmë janë  bërë tetë muaj që kur ka hyrë në fuqi taksa ndaj Serbisë.

Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.

Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.

Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.

Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi./Monitor

 

Fraksion.com