AktualitetPolitikëTë fundit

PD, Prokurorisë: Verifikoni Valdrin Pjetrin; Ka qenë i arrestuar në Itali

Partia Demokratike ka ngritur dyshime mbi pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, kandidati socialist i shpallur fitues në bashkinë e Shkodrës në votimet e 30 qershorit.

Nëpërmjet një kërkese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë Pjetrin, pasi sipas saj, ekzistojnë të dhëna, indicie dhe dëshmi publike se socialisti nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit.

“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Bardhit.

Nëse këto të dhëna publike verifikohen pa vonesë nga Prokuroria, thekson PD, kjo do të thotë se Valdrin Pjetri nuk mund ta marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.