AktualitetTë fundit

Ema Andrea i shkruan Ramës dhe atyre që nuk kanë qenë asnjëherë në Teatër

Kryeministri Edi Rama, ka postuar herë pas here në profilin e tij opinione të artistëve që duan Teatër të ri. Ai ka publikuar edhe qëndrimin e Ema Andreas lidhur me këtë.

Por Ema Andrea shkruan më pas se se kërkon të mbajë përgjegjësi kushdo që ka lejuar që godina të rrënohet e të rrezikojë jetën e artistëve, të cilet kanë krijuar në kushte aspak dinjitoze dhe spektatorëve të teatrit.

“Do kisha dashur të ishin në këtë faqe, emrat e shume artistëve shqiptare, (që nuk jetojnë jashtë Shqipërie) për sukseset e tyre, për veprat e tyre, jo aq për vëmendjen Tuaj personale, sa për besimin, se meritojnë mirënjohje institucionale, për vlerën e veprës së tyre e cila do ndërtojë kujtesën e së ardhmes. Do kisha dashur të vlerësohen përpara se të vdesin. Por morëm vëmendjen Tuaj, për këtë rast. Tuajën dhe të atij publiku qe nuk ka qenë asnjëherë në Teatër! E meqë kemi edhe vëmendjen Tuaj, edhe të atyre që nuk kanë qenë asnjëherë në teatër, me lejoni të përsëris: të mbajë/në përgjegjësi kushdo ka lejuar që godina të rrënohet e të rrezikojë jetën e artistëve, të cilet kanë krijuar në kushte aspak dinjitoze dhe spektatorëve të teatrit Do të ndodhe vallë?“, i shkroi ajo poshtë postimit.

Aktorja tha se beson që shumë shpejt do të kemi në këtë faqe, edhe opinionin publik të drejtuesve te TK, të cilët mbartin vlerat e përgjegjësive që Ju i keni besuar! “Dhe, Po, ëndërroj një teatër të ri, 10 teatro të rinj Kombëtarë e alternativë, ashtu si një piktor ëndërron një mur pa lagështirë për veprat e tij, por kjo nuk mjafton! Duhet një sistem ku artistët të kenë hapësira krijuese e konkurruese! Një sistem përmes të cilit artisti të mund të jetojë me dinjitet me profesionin e tij, i pavarur nga listat e të gjitha niveleve! Flm!”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, po dje, kryeministri ka shkruar se Artan Imami është një tjetër protagonist tanimë i hershëm i skenës së Teatrit Kombëtar, i cili është ngjitur në atë skenë qysh “kalama”, si një ndër talentet më të spikatura të gjeneratës së re të viteve ’80 dhe sot ai ka një opinion të qartë në debatin për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar. Imami citohet të ketë thënë se “shpreh dakordësinë dhe nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar.”

“Një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit. Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone. Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale. Më vjen ndër mend një takim i vitit ’87 apo ’88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim, dikush e pyeti se si duket niveli i teatrit. Ai ia kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit, ku po binte suvaja dhe thotë: Po ja, ashtu si kjo godinë”.

 

Fraksion.com