Do vriste Presidentin e “Korabit”; Del emri i kreut të bandës së gjobëvënësve
Dalin detaje të reja lidhur me operacionin e koduar “Përsëritësit”, ku në Tiranë u arrestuan dy persona dhe u shpall në kërkim një tjetër, të akuzuar për gjobvënie.
Si kreu i grupit u arrestua Edmond Gecaj rreth 30 vjeç, i cili në mars të vitit 2016, së bashku me një person me iniciale S.M., tentuan të vrisnin me thikë Presidentin e klubit të futbollit “Korabi”, Fehmi Mziu.
Asokohe ngjarja u ndalua nga ndërhyra e policisë, duke neutralizuar njërin nga të dyshuarit. U mësua se shkak për ngjarjen ishte bërë një borxh prej disa mijëra euro të cilat Mziu nuk kishte arritur t’ia kthente të dyshuarit.
Sakaq policia e Tiranës tha mbrëmjen e sotme se është finalizuar operacioni “Përsëritësit” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e gjobëvënies.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës ne D.V.P Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare për Krime te Renda Tiranë pas një pune të mirë-organizuar disa javore duke përdorur dhe metoda speciale hetimi, finalizoi me sukses operacionin “Përsëritësit” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Edmond Gecaj, 30 vjeç, banues në Tirane, me precedent penal në fushën e gjobvënies dhe I.B., 18 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një 35- vjeçari, me banim në Tiranë.
Nga hetimet e deritanishme, pjesëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, janë autorë të disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, në qytetin e Tiranës.
Këta shtetas dyshohet se i kanë vendosur gjobë 12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro.
Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këta persona.
Materialet do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, e kryer në bashkëpunim”.
Fraksion.com