Shpërthimi në Bllok, ndërron jetë pronarja e argjendarisë
Nuk ka mundur të mbijetojë pas plagëve të marra nga shpërthimi që ndodhi më 15 korrik në zonën e Bllokut, pronarja e argjendarisë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se 43-vjeçarja Alma Pirra ka ndërruar jetë të mërkurën në QSUT. Ajo mbeti e plagosur rëndë pas shpërthimit të një bombole gazi në zonën e Bllokut, në Tiranë, në rrugën “Vaso Pasha”.
Në bodrumin ku kryheshin punimet për riparimin e bizhuterive, janë gjetur dy bombola të mbushura.
Në raportin paraprak të përpiluar nga ekspertët zjarrfikës, ngjarja ka ndodhur për shkak të një pakujdesie njerëzore.
Nga tejngopja e ajrit me gaz në prani të një shkëndije në bodrum ka ndodhur shpërthimi, i cili ka shkatërruar plotësisht argjendarinë dhe dyqanin ngjitur. Nga forca shpërthyese është shkatërruar muri lidhës mes dy subjekteve tregtare, si dhe paneli i betonit në pjesën e tavanit. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4 automjete të parkuara afër vendit të ngjarjes.
Nga shpërthimi i fuqishëm mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë.
Fraksion.com