AktualitetBota+Të fundit

Rohani: Amerikanët kanë sjellje fëmijërore

Irani e cilësoi vendimin e Uashingtonit për të sanksionuar ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif, si “fëmijëror” dhe “të pamatur”.

Në një fjalim në qytetin Tabriz, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara e sanksionuan Zarifin, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se ky veprim i SHBA-së tregon se Uashingtoni “frikësohet” nga kryediplomati iranian.

“Amerikanët kanë sjellje fëmijërore. Ata thonë çdo ditë se duan të bisedojnë pa kushte dhe pastaj sanksionojnë ministrin e Jashtëm”, tha Rohani.

“Armiqtë tanë janë aq të pafuqishëm saqë e kanë humbur aftësinë për të vepruar me mençuri”, shtoi ai.

Tensionet midis dy vendeve janë rritur prejse Shtetet e Bashkuara, në maj të vitit 2018, janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore dhe kanë rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike.

Franca, Gjermania dhe Britania – tri nga pesë nënshkrueset e mbetura të marrëveshjes – kanë bërë përpjekje ta shpëtojnë atë dhe kanë propozuar një sistem të komplikuar financiar që synon t’i ofrojë Iranit lehtësime ekonomike.

Por, Irani është ankuar se procesi po shkon shumë ngadalë dhe ka rritur rezervat me uranium të pasuruar përtej kufirit që i përcakton marrëveshja bërthamore.

Me uranium të pasuruar, Irani potencialisht mund të krijojë armën bërthamore.

Me sanksionet amerikane, Zarifit i ngrihet çdo pasuri që mund të ketë në Shtetet e bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë mesazh të qartë regjimit iranian se sjellja e tij është plotësisht e papranueshme”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.

 

Fraksion.com