Qeveria miraton kriteret për mbrojtjen e magjistratit
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.
Në mbështetje të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi që magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij dhe/ose e/i familjes, si dhe pasuria”.
Sipas vendimit të qeverisë, mbrojtje e veçantë i sigurohet edhe magjistratit që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit.
Po ashtu, qeveria vendosi se me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pasurisë, sipas këtij vendimi, do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pasurisë së magjistratit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.
Në vendimin e qeverisë janë të saktësuara edhe kushtet që magjistratët do të përfitojnë mbrojtje të veçantë.
“Kushtet për të përfituar mbrojtje të veçantë janë: Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit; Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe ushtrimit të funksionit ose ushtrimit të mëparshëm të funksionit nga magjistrati. Pavarësisht mungesës së lidhjes shkakësore të përcaktuar në shkronjën “b”, të kësaj pike, magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë edhe në rast të pranisë së rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit gjatë kohës që magjistrati ushtron funksionin e tij”, saktësohet në vendimin e qeverisë.
Fraksion.com