“Ka shkaktuar krizën”; Kulluri, demokratëve: Mos prisni që ta zgjidhë Basha
Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar Demokrat u është drejtuar demokratëve me një mesazh duke u kërkuar që të flasin dhe veprojnë dhe të mos presin që krizën e thellë ku ndodhet PD-ja ta zgjidhë Lulzim Basha, pasi sipas tij është ai që e ka shkaktuar.
“I dashur demokrat! Mos prit ta zgjidhë krizën e thellë të PD dhe Shqipërisë as Basha që e ka shkaktuar, as ne që jemi kritikë ndaj tij e as të huajt! Bëj tënden! Fol, vepro dhe gjej një zgjidhje! Ti ke aksionet e tua në atë parti. Vite sakrifice, suksese, humbje dhe fitore! Opozite dhe qeverisje! Ke qenë pakicë dhe shumicë! Nga seksioni yt deri në kryesi duhet të bësh politikë. Dhe politikë nuk është të heshtësh e të bindesh. Është të flasësh, të miratosh por mbi të gjitha të kundërshtosh atëherë kur parimet e tua shkelen. Kundërshtarë nuk janë njerëzit, por idetë e gabuara. Mos u anko në kafe apo facebook, por aty ku militon. Po nuk munde arrogancën në PD mos i lejo të të përdorin kundër arrogancës së Ramës se bëhesh i pabesueshëm për ata që u kërkon votën”, ka theksuar Kulluri.
“Boll më me të vërtetat përgjysëm ndaj kundërshtarit, por fol dhe vepro për ato të pavërtetat e PD-së tënde. Demokratë nuk të bën as Lulzim Basha e as ata që janë rreshtuar përballë tij. Demokratë të bën besimi tek e vërteta, liria, përfaqësimi i drejtë, sistemi i karrierës, llogaridhënia, prona, konkurrenca e lirë dhe shumë parime për të cilat partia jote sot “bën sikur i mbron”, por në fakt JO!”, ka shtuar Kulluri
“Mos u përdor! Mos u gënje! Ti nuk je “socialistia e Beratit” që për hir të solidaritetit dhe pushtetit pranonte shëmtinë politike të Nanos me shokë! Ne jemi krijuar nga liria dhe jo traktet e dhuna e pushkës së komunistëve. PD është e jotja jo e kryetarit apo ne të tjerëve! I dashur demokrat, njerëzit nuk kanë hallin të vish në pushtet e të drejtosh si Rilindja, por si Demokrat, përndryshe ata do na mundin siç kane bërë këto 6 vjet! Ne fitojmë me moral, ndërsa ata me gënjeshtra. E kundërta nuk ndodh, është veçse iluzion!”, ka nënvizuar Kulluri.
Fraksion.com