Ish-zyrtarit i sekuestrohen 1.5 mln euro
Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion për goditjen e krimit ekonomik e financiar, ndërsa ka sekuestruar 1,5 milionë euro llogari banke, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme.
Operacioni policor i koduar “Investimi” u bë e mundur nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Burime zyrtare nga policia thanë se llogaria bankare i përket një ish -punonjës të administratës shtetërore i cili në vitet 2006 – 2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.
“Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme. Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, shtetasi i lartpërmendur ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.
Për arsye se hetimet janë në vijim, nuk mund të jepen të dhëna të tjera.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Fraksion.com