AktualitetPolitikëTë fundit

“Detyrim paraqitje”; Arben Çuko i shpëton “arrestit me burg”

Për shkak të mungesës së provave, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka lehtësuar masën e sigurisë ish-drejtorit të burgjeve njëherazi ish-deputetit të PS-së, Arben Çuko, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Ish-deputeti socialist u akuzua për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Emri i ish-drejtori i Burgjeve Arben Çuko doli në përgjimet e grupit “Avdylaj”, pjesë e dosjes së famshme 339.

Në këto përgjime Çuko u zbulua se favorizoi një të dënuar për të lëvizur nga një burg në një tjetër, më saktë shoferi i tij dyshohej se kishte marrë një shumë parash për të lehtësuar kushtet e një të dënuari.

Arben Çuko përmendej gjithashtu edhe për konkurset fiktive dhe për punësimin e militantëve të Partisë Socialiste në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP).

Rrethanat e faktit:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, mbi bazën e akteve të referuara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë, me datë 28.12.2016, ka regjistruar procedimin penal me nr.339 të vitit 2016, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 i K.Penal,

Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash, banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, vepronin në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.

Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier.

Sqarojmë se më parë, po në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr.339 të vitit 2016, është paraqitur kërkesa për gjykim të 12 të pandehurve të tjërë dhe ndodhen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, akuzuar për veprat penale“ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Hetimet vazhdojnë për evidentimin e secilit fakt penal të rezultuar gjatë hetimit të kësaj çështjeje dhe për autorët e veprës penale.

 

Fraksion.com