Debati i dytë i kandidatëve demokratë
Pretendentët demokratë në zgjedhjet presidenciale zhvilluan një raund të dytë debatesh dje në Detroit, duke intensifikuar kritikat ndaj Presidentit Trump. Si rezultat i numrit të madh të kandidatëve, debati po zhvillohet me dy faza. Dje në debat u përfshinë 10 nga pretendentët, ndërsa sonte do të zhvillohet faza e dytë me 10 kandidatët e tjerë. Përveç kritikave në adresë të presidentit, mes 10 pjesëmarrësve demokratë mbrëmë pati edhe akuza e kritika ndaj njeri-tjetrit, duke nxjerrë në pah tensione në rritje mes kandidatëve të moderuar dhe atyre progresivë.
Mbrëmë ishte nata e parë për raundin e dytë të debateve. Debatet u mbizotëruan nga propozime për kujdesin shëndetësor, imigracionin dhe shanset e secilit prej kandidatëve për të mundur Presidentin Trump.
Duke vënë në shenjestër planet radikale të propozuara për kujdesin shëndetësor dhe ndryshimet klimatike, disa nga konkurrentët më të moderuar i detyruan kandidatët më progresivë, si Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren të hidheshin në mbrojtje.
“Kjo do të ishte katastrofë e shkaktuar me votë. Më mirë dërgoja fitoren me postë ekspres Presidentit Trump,” u shpreh John Hickenlooper, ish-guvernator i Kolorados.
Senatori Sanders i doli në mbrojtje propozimit të tij radikal për kujdes shëndetësor të mbuluar nga shteti dhe vuri në dukje se në bazë të anketave ai do ta mundë Presidentin Trump:
“Ne do ta mundim Presidentin Trump keq fare sepse ai është hipokrit dhe ne do t’ia zbulojmë fytyrën e vërtetë,” tha Senatori Sanders.
Ligjvënësi nga Ohajo Tim Ryan paralajmëroi se demokratët mund të humbasin zgjedhjet nëse ofrojnë propozime të ekstremit të majtë për kujdesin shëndetësor, ekonominë dhe mjedisin.
“Sinqerisht nuk mendoj se me këtë axhendë mund të shkojmë në fitore. Duhet të diskutojmë medoemos problemet e klasës punëtore,” tha ligjvënësi Ryan.
Por Senatorja Elizabeth Warren i paralajmëroi demokratët se duhet të dalin me propozime të guximshme nëse duan të mundin Presidentin Trump vitin e ardhshëm:
“Demokratët do të fitojnë kur të identifikojnë cilat janë zgjedhjet e drejta dhe më pas të luftojnë fort për t’i realizuar. Unë nuk kam frikë. Nëse demokratët duan të fitojnë, nuk duhet të kenë frikë,” tha Senatorja Warren.
Megjithëse demokratët patën përplasje të shumta me njeri-tjetrin, vëmendja kryesore në debat ishte Presidenti Trump.
“Të ndeshur me komente të pamëshirshme që ngjallin frikë nga një president që nuk do t’ia dijë për ligjin, ne do të zgjedhim një president që lufton për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor për të gjithë,” tha kandidati Beto O’Rourke.
Në intervista me votuesit që e ndoqën debatin, opinionet janë të përziera lidhur me fituesin e mbrëmshëm. Duket se debati i Detroitit nuk arriti të përcaktonte një kandidat me epërsi të qartë:
“Erdha në debat pa opinion të paracaktuar. Deri tani i konsideroja Senatorët Sanders dhe Warren si me avantazh mbi të tjerët dhe mendoj se të dy dolën shumë mirë,” thotë një votuese nga shteti Nju Hempshër.
Por pati edhe votues që shprehen se pretendentë si Senatorja Warren kanë tërhequr së tepërmi vëmendjen e medias dhe nuk po u japin mundësi të tjerëve të argumentojnë qëndrimet e tyre:
“Nuk dola me ndonjë përshtypje të qartë përveçse më duket që kandidatit John Hickenlooper nuk iu dha mundësia të fliste sa duhet. Elizabeth Warren nuk pushon së foluri. Senatori Sanders nuk pushon së foluri. Më pëlqen kandidati Pete Buttigieg. Më duket i zgjuar. Të gjithë duken inteligjentë, por nuk jam ende i bindur nëse të gjithë janë të kualifikuar për president,” thotë Chriss Figge, votues demokrat nga Denveri.
Sonte zhvillohet faza e dytë e debatit, me 10 kandidatët e tjerë, ndër to pretendenti që kryeson aktualisht në anketa, Joe Biden, si dhe Senatorja Kamala Harris, Senatori Cory Booker dhe ish-Sekretari për Strehimin dhe Zhvillimin Urban, Julian Castro./VOA
Fraksion.com