AktualitetPolitikëTë fundit

Bën betimin kryebashkiaku i Beratit

Gjatë mandatit 4 vjeçar në krye të bashkisë së Beratit do kthejmë shpresën tek qytetarët, si dhe do të jemi zëri i tyre pa asnjë dallim.

Kështu u shpreh sot kryetari i ri i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, gjatë ceremonisë së betimit për marrjen e detyrës, si dhe konstituimit të këshillit mashkiak.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, prefekti i qarkut Berat, Valbona Zylyftari, Kryetari i Këshillit të Qarkut Berat, Fatlli Adilaj, drejtues rajonalë, përfaqësues të partive politike, deputetë dhe anëtarë të këshillit.

Sekretarja e Këshillit Bashkiak, Ledina Gjeroveni, pasi përshëndeti pjesëmarrësit, i njohu ata me pikat e rendit të ditës dhe procedurat e zhvillimit të kësaj mbledhjeje.

Pika e parë e rendit të ditës ishte konstituimi i anëtarëve të Këshillit Bashkiak, zgjedhja e komisionit të mandateve, verifikimi, miratimi i tyre dhe betimi i këshilltarëve. Pas votimit s Ervin Ceca u zgjodh kryetar i këshillit bashkiak, ndërsa zëvendëskryetare e këshillit bashkiak Elona Hoxha.

Kreu i ri i bashkisë Demo tha se “gjatë bashkëbisedimit me qytetarët ne kemi mundur të kuptojmë për çfarë realisht ka nevojë ky qytet, që është kthimi i besimit për të ardhmen, që unë si kryetar, por edhe ju si këshilltarë kemi detyrimin që në këtë mandat jo vetëm ta bëjmë këtë institucion me një fytyrë njerëzore, që të jetë zëri i qytetarëve, por mbi të gjitha ta bëjmë atë një institucion shprese për brezin e ri. Dhe kjo nuk është një përgjegjësi e vogël. Ne do të jemi zëri i qytetarëve të Beratit, pa asnjë dallim”.

“Kur qyteti vuan, të gjithë e vuajnë njëlloj, ndërsa kur qyteti funksionon, të gjithë e jetojnë atë po njëlloj. Prandaj unë jam i bindur se bashkë me ju do të mbajmë komunikim të vazhdueshëm me komunitetin që na ka besuar shpresën për zgjidhjen e problemeve të tyre. Unë sot zotohem përpara jush dhe përpara gjithë qytetarëve të Beratit se ne do të qeverisim dhe do të kemi në fokus qytetarët e kësaj bashkie, si dhe do të bëjmë çmos që ky qytet të marrë atë ndriçim që meriton”, tha Demo.

Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit Demo rezultoi fitues me 89.55% të votave ose 14,963 vota, kundrejt kandidatit të Bindjes Demokratike, Pavlo Shkarpa.

 

Fraksion.com