AktualitetTë fundit

Shkarkohet nga detyra anëtari i KLP, Gentian Osmani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit Gentian Osmani. Prokurori kishte kaluar procesin e vetting-ut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por vendimi u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Trupi gjykues në KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj dhe me anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz vendosën ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Osmanit, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Në seancën e kaluar, gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisionieri Publik i qëndroi kërkesës për ndryshimin e vendimit nr.61, të KPK dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gentian Osmani.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, bazuar në të gjitha provat e depozituara prej tij gjatë procesit gjyqësor dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Ndonëse KPA hodhi poshtë disa prej ankimimeve të Komisionerit Publik, në fund ka qenë mungesa e mbulimeve të shpenzimeve për dy vite nga ana e Osmanit që solli vendimin për shkarkimin nga detyra.

Gentian Osmani është anëtari i dytë i KLP që shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit pas apelimit të bërë nga Komisionieri Publik.

Tashmë Kryeprokurorja Arta Marku duhet të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të prokurorisë për të zëvendësuar Gentian Osmanin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

 

Fraksion.com