AktualitetTë fundit

Inspekton portin e Durrësit; Ardi Veliu kërkon angazhim maksimal të personelit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka qenë mëngjesin e sotëm për inspektim në portin e Durrësit, ku vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rreth 25 mijë mjete dhe kanë dalë rreth 32 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj me rreth 9 mijë mjete.

Veliu ka parë nga afër procedurat e kontrollit dhe krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe pritjes së gjatë për të hyrë si pasojë e fluksit në rritje çdo ditë.
Ai u ka kërkuar punonjësve të policisë në sportele që të jenë të angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, dhe të ofrojnë një shërbim sa më cilësor dhe në kohë, gjithashtu ka porositur drejtuesit e Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin, që në raste të fluksit të madh të aplikojnë procedurat e përshpejtuara, por pa lënë mënjanë kontrollin e personave apo mjeteve të dyshimta.
Drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar rezultatet e arritura, ku gjatë muajit korrik janë kapur 10 persona në kërkim, si dhe janë evidentuar dhe goditur 37 raste të paligjshmërisë, nga të cilat:
  • “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë” – 5 raste
  • “Falsifikimi i letrave me vlerë” – 12 raste.
  • “Falsifikim i pasaportave, letërnjoftimeve, vizave” – 4 raste
  • “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” – 12 raste.
  • “Trafikimi mjeteve motorike” – 3 raste.
  • “Braktisja e fëmijës së mitur” – 1 rast.
  • “Dhënia e ndihmës për kalim paligjshëm të kufirit shtetëror” – 1 rast.

Veliu ka kërkuar kontroll rigoroz të dokumentacionit të qytetarëve dhe të plotësimit të kushteve për të lëvizur në hapësirën Schengen, me qëllim parandalimin  e atyre personave që kanë për qëllim lëvizjen në vendet e BE-së për të kërkuar azil.

Ai theksoi se është prioritet kryesor i Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të parandaluar këtë fenomen.

 

Fraksion.com