Përgatitjet për zgjedhje; Haradinaj pret në takime partitë e komuniteteve
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka filluar përgatitjet për zgjedhjet nacionale.
Pas takimeve me degët e partisë të cilën e udhëheqë, AAK-së dhe mobilizimin e strukturave, Haradinaj po takon në qeveri edhe deputetët e partive të komuniteteve joserbe.
Haradinaj sot ka takuar, deputetët e komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas.
Haradinaj së pari ka takuar Kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilia Rexhepi njëherit edhe deputete e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës.
“Prita në takim deputetën e Kuvendit të Kosovës dhe kryetare e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilia Rexhepi, me të cilën diskutuam për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për shtyerjen tutje të procesit për themelimin e Komunës së Zhupës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai pastaj ka takuar edhe deputetët Veton Berisha dhe Etem Arifi nga komunitetet egjiptian dhe ashkali.
“Bashkëbisedim me deputetët Veton Berisha dhe Etem Arifi, për proceset dhe sfidat që i kemi përpara. Falë angazhimit të përbashkët konstruktiv, kemi arritur të adresojmë dhe t’iu gjejmë zgjidhje shumë temave me rëndësi për komunitetet egjiptian dhe ashkali në Kosovë”, u shpreh Haradinaj.
Kurse së fundi, Haradinaj ka pritur në takim edhe Allbert Kinollin nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
“Në vazhdën e takimeve me liderët partiakë të komuniteteve joshumicë në vend, njëherit deputetë të Kuvendit të Kosovës, prita në takim Allbert Kinollin, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), me të cilin këmbyem mendime për avancimin e romëve, sidomos në aspektin e arsimimit dhe punësimit”, ka deklaruar Haradinaj.