Live; Rama: Ekonomia u rrit me 2.21%, anti-informaliteti do vijojë
Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Edi Rama bëri sot bilancin e rezultateve të qeverisjes në gjysmën e parë të këtij viti dhe foli për prioritetet në periudhën shtator 2019-korrik 2020.
Rama u ndal te ekonomia e cila sipas tij, “edhe pse në një situatë krejt jonormale, që do të thotë të pafavorshme për ekonominë, aspak nxitëse por frenuese për investitorët dhe konsumatorin, u rrit krahasuar me 2.21%”.
“Ndërkohë që efekti i thatësirës së madhe është i ndjeshëm duke pasur parasysh se vitin e shkuar patëm një vit me shumë reshje, që do të thotë edhe me një mundësi të shtuar për rritjen ekonomike si rezultat i prodhimit të lartë të energjisë”, tha Rama.
Përtej këtij fakti, ai tha se mbetet prioritare që të fokusohemi tërësisht më tutje tek investimet publike dhe investimet private vendase dhe të huaja.
“Të ardhurat, siç mund ta dini kanë pasur një periudhë problematike për pasojë të frymës së antishtetit që u injektua në mënyrë të vazhdueshme në një formë shumë agresive, gjë që ka ndikuar padiskutim edhe në rritjen e informalitetit. Informaliteti tani është dhe do të mbetet në fokus përditë, deri në fund të mandatit”, tha Rama.
Fraksion.com