Hahn: E pandershme të akuzosh se Kushtetuesja nuk funksionon, gjykatësit e korruptuar jashtë sistemit
Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn në një intervistë për gazetën austriake ”Der Standard” ka deklaruar se prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar në Shqipëri po dalin jashtë sistemit.
”Në Shqipëri problemet politike tani janë në plan të parë si për shembull fakti që opozita është jashtë parlamentit, fakti që qeveria ka vështirësi në ruajtjen e dialogut si edhe procedura në vazhdim për shkarkimin e presidentit”, deklaroi Hahn.
“Sidoqoftë, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në reformën e drejtësisë. Të akuzosh shqiptarët që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, për shembull, nuk është e ndershme, sepse kjo tregon se sa e suksesshme ka qenë puna për largimin nga sistemi të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar”, thekson Hahn në këtë intervistë.
”Unë shpresoj që të gjitha forcat politike në Shqipëri të njohin seriozitetin e situatës dhe të kuptojnë se çfarë po bëjnë me qëndrimin e tyre. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve kërkojnë fillimin e negociatave të anëtarësimit, të gjithë votuesit e partive e mbështesin këtë gjë”, tha ai.
Fraksion.com