AktualitetBota+Të fundit

Stina e uraganeve shton shqetësimet tek banorët pranë ujit

Uragani Barry nuk e goditi këtë herë me përmbytje shkatërrimtare qytetin jugor të Nju Orlinsit dhe brigjet e shtetit Luiziana.

Por me fillimin e stinës e së uraganëve këtë vit, një ndjenjë ankthi e ka përfshirë përsëri komunitetin e kësaj zone, që druhet se ka për të qenë vetëm çështje kohe, që një stuhi po aq vdekjeprurëse sa uragani Katrina ta godasë përsëri. Peshkatarët shqetësohen për të ardhmen e profesionit të tyre, ndërsa banorët e lagjeve në zona të ulëta të New Orleansit thonë se infrastruktura e qytetit nuk është në nivelin e duhur për të përballuar një tjetër krizë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ramon Taylor përgatiti këtë kronikë nga New Orleansi:

“Uraganët kështu janë: kur jeton buzë ujit, shtëpia duhet ndërtuar në një vend të lartë dhe duhet kujdesur për anijen. Këto janë gjërat e para që bën. Nëse se e kapërcen pa probleme stuhinë, atëherë mund të kthehesh e ta vazhdosh jetën si më parë “– thotë një peshkatar.

Charles Robin, i takon brezit të tretë të një familjeje peshkatarësh prej shtatë brezash nga Luiziana. Ai ju kthye përsëri punës pasi uragani Barry u largua pa shkaktuar përmbytje në zonën e Luizianës. Por Robin thotë se nuk ka garanci që brezat e ardhshëm do ta vazhdojnë zanatin e peshkimit. Rritja e nivelit të ujit e ka vështirësuar shumë jetën për peshkatarët.

Jeremiah Blaise, një 25-vjeçar që punon në një anije peshkimi të karakalecave, thotë se do të donte që një ditë të bëhej një kapiten i aniejes, por vetëm nëse moti nuk bëhet pengesë për të.

“Ndonjëherë mund ta marrësh veten nga një stuhi e keqe, por nëse uraganët vazhdojnë të ndodhin gjithnjë e më shumë, duhet gjetur punë tjetër dhe një vend tjetër për të jetuar. Ai vend mund të mos ketë anije për peshkimin e karkalecave…”– thotë Jeremia.

Nëse peshkatarët si Jeremia Blaise do të iknin nga Yscloskey për shkak të përmbytjeve nga stuhia, banorët e New Orleans-it shqetësohen që ata gjithashtu mund të pësonin një fat të ngjashëm.

Që nga koha e Uraganit të kategorisë së katërt Katrina të vitit 2005, që shkaktoi rreth 1,800 vdekje në disa shtete, janë investuar më shumë se 14 miliardë dollarë për stacionet e pompave të ujit. Por të mbijetuarit e Katrinës nuk janë të sigurt në se kjo është e mjaftueshme.

“Nëse një ditë vjen një stuhi tjetër po aq e keqe ose e afërt me uraganin Katrina, unë nuk do të qëndroja dhe nuk do të kthehesha kurrë më këtu,”– thotë një banore e Nju Orlinsit.

“Stacioni i pompimit të qytetit – sistemet e drenazhimit, – janë në gjendje shumë të keqe. Mjafton të bjerë një shi i zakonshëm për 20 minuta dhe rrugët përmbyten “– thotë një banor.

Pas rrëzimit të një dige në lagjen ku banonte 31-vjeçari Earl, ai së bashku me familjen, u strehuan së bashku me 25,000 banorë të tjerë në pallatin e konventave në qendër të qytetit. I traumatizuar që në moshën 17-vjeçare, ai thotë se frika nga diçka po aq e keqe apo edhe më keq, mbetet reale.

“Ne kemi qenë me fat që i jemi shmagur goditjeve të dy uraganëve të fundit. Kemi qenë vërtet me fat. Por kjo nuk mund të ndodhë shpesh, “
– thotë Earl Davis./VOA

 

Fraksion.com