“Jemi disa muaj larg”; Veliaj tregon se kur do shembet Teatri
Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka konfirmuar edhe njëherë tjetër planin për një Teatër të ri Kombëtar. Nga konferenca ku u prezantuan punimet e disa studenteve të Harvardit me fokus shtimin e hapësirave për fëmijët, Veliaj theksoi se qyteti nuk mund të mbetet pas për shkak të nostalgjive të dikurshme.
Veliaj theksoi se më 22 korrik është hapur thirrja për ofertat që do të paraqiten për Teatrin e ri modern, ndërsa i cilësoi akuzat e deritanishme si “beteja imagjinare”.
“Teksa jam duke ndjekur çështjen e Teatrit, prapë është një ilustrim ideal i histerisë kolektive. Shkon drejtori me një dum-dum të marrë dy-tre dosje, arkivën, financën, duke qenë se ka dy vjet që janë zhvendosur te Art’Turbina, dhe krejt papritur plas histeria se do të prishet Teatri. Ndërkohë, jemi ende muaj larg; në datën 22 korrik kemi hapur thirrjen për të gjitha ofertat se kush mund ta bëjë këtë Teatër modern. Ka dy muaj kohë thirrja. Këta i kanë betejat të gjitha imagjinare, vetë i sajojnë, vetë i luftojnë dhe vetë i fitojnë betejat. Është e gjitha vetëm te koka e tyre, sepse në realitetin jashtë këtij ‘akuariumi’, jeta vazhdon normalisht. Ndaj, dua t’ju sfidoj që të përgatiteni që shumë prej vendimeve që ju mund t’ju duken totalisht të pafajshme, të thjeshta, mund të përballen me një histeri të jashtëzakonshme”, tha ai.
Kreu i Bashkisë u shpreh se përgjigja për teatrin u dha më 30 qershor, të cilin e konsideron referendum.
“Vendet demokratike funksionojnë me zgjedhje. Ti nuk mund të jesh edhe aktor të thuash të ruajmë tallashin, edhe aktivist politik të thuash edhe unë do bllokoj zgjedhjet, edhe militant i rrugës të thuash Rama ik dhe pastaj nuk vjen në asnjë garë. Unë aty isha në 30 qershor, ata që më thanë do e shohësh nuk erdhën. Ata që të thonë do e shohësh, ke për ta parë ti, ta tregoj unë ty, dhe nuk vijnë në betejë, u ikën e drejta të flasin për të ardhmen e qytetit. I dëgjoj këta që flasin si ekspertë për teatrin kur thonë: “Unë vërtet jam themelues i kësaj partie, por kjo s’është fare politike”. Nëse nuk është politike çfarë është?”, nënvizoi Veliaj.
Erion Veliaj do të betohet nesër në mandatin e dytë si kryebashkiak i Tiranës. Betimi do të bëhet para këshillit të ri bashkiak, i cili po ashtu do të konstituohet gjatë ditës së martë.
Fraksion.com