AktualitetTë fundit

“I solla unë”: FNSH blindon Bashkinë e Devollit; Nallbati: Jam kryetar

Bashkia e Devollit, është rrethuar me forca të shumta policore që prej orëve të para të mëngjesit.

Kryebashkiaku i ri, Eduard Duro, i cili ka shkuar në zyrë që në orën 06:30, ka deklaruar se janë futur nëpër zyra një pjesë e punonjësve të bashkisë. Ai është shprehur se e ka thirrur vetë policinë, pas informacioneve se do të kishte tubim nga opozitarët.

“Një pjesë e punonjësve kanë hyrë në zyrë. Policinë e kam thirrur unë pasi kisha informacion se do bëhej ky tubim. Po pres që të gjithë punonjësit e tjerë të hyjnë në zyrë. Ish kryetari nuk pranoi të largohej ndaj u detyruam të veprojmë kështu. Unë kam patur takime edhe me punonjësit ditën e shtunë. Ata do vijnë në punë”, ka thënë Duro.

PD i quan zgjedhjet e 30 qershorit ilegjitime dhe thotë se kryetarët e bashkive të dala nga zgjedhjet e 2015 duhet të vijojnë të qëndrojnë në krye të detyrës.

Bledion Nallbati, kryetari i bashkisë i dalë nga zgjedhjet e 2015 thotë se partia shtet ka vendosur të marrë me dhunë këtë institucion.

“Sot Bashkia është kthyer në burgun 313. I zaptuar nga vetë shteti. Keni parë dhe pamje më të rënda Institucioni i bashkisë është uzurpuar duke shkallmuar dyert dhe duke u marrë në mënyrën më të keqe të mundshme, si hajdut, kriminel në momentet kur institucioni ka qenë i mbyllur dhe jashtë orarit të punës.

Unë jam kryetari i ligjshëm i zgjedhur me votat e 59% të qytetarëve të Devollit në një proces legjitim. Në një proces ku partia shtet ka vendosur ta marrë me dhunë këtë institucion e ka rrethuar me polici dhe e mban të uzurpur”, tha Nallbati.

 

Fraksion.com