AktualitetPolitikëTë fundit

Zbulohet dokumenti i brendshëm i PD-së që provon ‘tradhtinë’ ndaj Metës: Mos prekni Soros!

Një dokument i brendshëm i Partisë Demokratike dërguar të gjithë anëtarëve të kryesisë dhe ish-deputetëve i drejton ata se çfarë qëndrimesh të mbajnë në publik në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Dokumenti i shpërndarë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, që nuk mban as firmë dhe as vulë, flet shumë për raportin e së djathtës me Presidentit Ilir Meta dhe vija e kuqe që nuk duhet kapërcyer.

Një porosi e veçantë është të mos thuhet asnjë fjalë për qëndrimin që Presidenti Ilir Meta mbajti me akuzat ndaj Sorosit.

“Për qëndrimet e tjera të presidentit ne nuk kemi asnjë koment. Këtu përfshihet edhe çështja e Sorosit” (Dokumenti i brendshem i PD)

Ajo çka shkruhet me të zeza në dokument, faktohet edhe nga deklarimet publike të eksponentëve të PD-së, të cilët nuk janë shprehur asnjëherë publikisht në lidhje me akuzat e presidentit Meta për “deep state”, ku ai akuzonte Sorosin se ka kapur shtetin në bashkëpunim me Ramën dhe veçanërisht reformën në drejtësi.

Edhe ish-anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Edvin Kulluri e konfirmoi këtë qëndrim kur sot në studion e Report Tv, tha se Basha është i mbështetur nga Sorosi për të bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama. Ai tha se Meta nuk duhet t’i gjejë armiqtë jashtë vendit, tek Soros, pasi i ka në Shqipëri, duke lënë të nënkuptuar se një ‘armik’ i kreut të shtetit, është vetë lideri demokrat.

Dokumenti i brendshëm i PD-së konfirmon gjithashtu që ka një thyerje mes të djathtës dhe presidentit Ilir Meta. PD nuk pranon negociatat e presidentit për të ulur palët në dialog.

“Ne kemi vlerësuar përherë përpjekjet e Presidentit për zgjidhjen e krizës. Por qëndrimi ynë është i pandryshuar: ne nuk hyjmë në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe nxjerrjen e drejtësisë së atyre që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin”, shkruhet në dokument.

Pikërisht ky qëndrim i PD-së shpjegon edhe deklaratën e kreut të shtetit një ditë më parë, i cili tha se i është drejtuar drejtuesve të OSBE me një letër, prej të cilës kërkon ndërmjetësimin e negociatave mes palëve politike në Shqipëri.(Lexo  këtu dokumentin e plotë)

 

Fraksion.com